Në një ditë si sot dhe pikërisht më 24 nëntor 1983 në Rashtrapati Shavar, në Nju Delhi, në Indi, Nënë Tereza (lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu) në shenjë mirënjohjeje për shërbimin e saj të jashtëzakonshëm ndaj njerëzimit merr Medaljen e Urdhrit të Nderit të Meritës nga Mbretëresha Elizabeth II, gjatë vizitës së Madhërisë së saj me rastin e Takimit të Shtatë Kryetarëve të Qeverive të Komonuelthit. Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe ishte qytetarja e pestë jo-britanike që u bë anëtare e Urdhrit.
Gjatë ceremonisë së thjeshtë në lëndinën e Lozhës Presidenciale në Nju Delhi, Indi, Mbretëresha i dorëzoi Nënë Terezës simbolin e kuq të Medaljes. Nuk pati fjalime në ceremoninë e cila u ndoq vetëm nga një duzinë njerëzish. Disa nga të pranishmit përfshinin bashkëpunëtorë të Nënë Terezës. Pas pranimit, Nënë Tereza tha: “E pranoj për lavdi të Zotit dhe gjithashtu për punën tonë”.
Themeluar nga Edward VII në 1902, ky Urdhër nderon njerëzit për shërbimin e tyre të shquar në forcat e armatosura, art, shkencë, letërsi ose për promovimin e kulturës. Me këtë Urdhër është nderuar edhe Presidenti i SHBA Dwight Eisenhower.
Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997 në moshën 87-vjeçare pasi pësoi një atak kardiak. Vdekja e saj erdhi vetëm disa ditë pas vdekjes së Dianës, Princeshës së Uellsit. Të dya dihej se ishin lidhur me angazhimin e tyre të përbashkët për të ndihmuar të varfërit. Raportohet gjithashtu se një rruzare që Nënë Tereza i kishte dhënë Dianës u dërgua në spital menjëherë pas vdekjes së Dianës.