Sipas një publikimi të Eurostat më shumë se gjysma e shqiptarëve (55.3%) e konsiderojnë veten subjektivisht të varfër.
Në këtë renditje, shqiptarët ndihen të dytët më të varfër në Evropë, me më shumë se dyfishin e mesatares së BE-së (24.8%). Vendin e parë e mbajnë grekët, 68% e të cilëve kanë deklaruar se ndjehen subjektivisht të varfër. Treguesit subjektiv të varfërisë bazohen në rezultatet nga statistikat e Bashkimit Evropian (BE) mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC), një mbledhje e të dhënave që kryhet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, si dhe në shumicën e vendeve kandidate. Treguesit përdorin, si bazë, informacionin mbi aftësinë për të përballuar jetesën.
Nga vendet e rajonit, më pak të varfër janë serbët me 44%, Maqedonia e Veriut me 47.2%, Kosova 47.3 dhe Mali i Zi me 50.1%.
Sipas gjinisë, 54.7% e meshkujve shqiptarë e konsiderojnë veten të varfër, krahasuar me 55.6% të femrave.
Sipas grupmoshave, të moshuarit janë ata që ndihen më të varfër në vend. Sipas të dhënave të Eurostat, 58.4% e të moshuarve (mbi 65 vjeç) e konsiderojnë veten subjektivisht të varfër.
Përqindja e fëmijëve deri në 18% që mendojnë të njëjtën është e lartë, me 58.1%, nga 43% që është, për shembull, në Serbi. Kjo përqindje ulet në 54,5% për grupmoshën 18-64 vjeç. Sa më i ulët niveli i arsimimit, aq më i lartë është varfëria e perceptuar, pasi 66.8% e njerëzve me arsim të ulët e konsiderojnë veten të varfër krahasuar me nivele të ngjashme në vendet e rajonit. Për ata me arsim të mesëm, shifra është 50.9%. Për personat me arsim të lartë, treguesi përmirësohet ndjeshëm, një fenomen ky i konstatuar për të gjitha shtetet, ku 28.3% e tyre e konsideronin veten subjektivisht të varfër. Më të mirët në rajon janë të arsimuarit e Serbisë, me 22.2%. Megjithatë, krahasuar me mesataren evropiane prej 9.2%, shqiptarët e arsimuar ndihen tre herë më të varfër. Shqiptarët e arsimuar (28.4%) ndihen pothuajse po aq të varfër sa qytetarët e Bashkimit Evropian me arsim fillor (29.5%).