Në një ditë si sot dhe pikërisht më 21 nëntor 1694 u lind François-Marie Arouet (v.1778), emri i penës, Volter; përfaqësues kryesor i Iluminizmit, shkrimtar, historian, filozof jashtë filozofisë konvencionale, i njohur për satirën, kritikën ndaj fesë si institucion, përkrahës i tolerancës fetare dhe për ndarjen e kishës nga shteti, shkrimtar me dhunti të shumta, duke prodhuar vepra në pothuajse çdo formë letrare: dramë, poezi, roman, ese, vepra historike e shkencore. Ai shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi 2 mijë libra dhe pamflete.
Volteri ishte mbrojtës i hapur i lirisë së shprehjes, përkundër pasojave nga ligjet dhe censura e rreptë e kohës. Për shkrimet e tij satirike, ai shpesh u dënua me burgim ose mërgim. Volteri ishte kritik i ashpër i traditës fetare, që pengon lirinë individuale të besimit – por ai nuk thoshte se ishte kundër idesë së një qenie supreme. Volteri arsyeton se ekzistenca e Zotit nuk është çështje besimi, por arsyeje, dhe se të gjithë njerëzit janë vëllezër, ndërsa janë krijesa të njëjta nga i njëjti Zot. Sa për skllavërinë, Volteri e kritikoi ashpër, por në anën tjetër, u përpoq të shpjegojë se racat e ndryshme kishin origjina të veçanta prandaj nuk mund të ishin të njëjta ose të barabarta. Volteri shpesh është akuzuar për anti-semitizëm edhe pse shumica e kritikave të tij në fakt i drejtohen Biblës, dhe jo Judaizmit në veçanti. Volteri gjithashtu shkroi drama, prozë dhe poezi.
“Kandidi” është puna e tij më e famshme në prozë, ku ai kritikon filozofinë e Gottfried Wilhelm Leibnizit mbi optimizmin metafizik nëpërmjet naivitetit të Kandidit, personazhi kryesor, i cili pas përjetimit të një fatkeqësie, refuzon të jetë optimist pa patur arsye për të qenë i tillë. Duke shkruar për historinë, Volteri sfidoi konceptin mbizotërues të kohës së tij, se historiografia duhej të merrej me ngjarjet e mëdha politike, ushtarake dhe diplomatike; Volteri thotë se theksi duhet vënë në kulturë, art, shkencë, zakone – dhe u përpoq për të shkruar një histori të botës mbi këto baza. Kjo vihet re edhe në “Ese mbi edukatën dhe shpirtin e kombeve” lidhur me heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbe, për të cilin Volteri shprehet me konsideratat më të larta, duke thënë se nëse perandorët bizantinë do të kishin vepruar si Skënderbeu, rënia e Kostandinopojës nuk do të kishte ndodhur. Në esenë e tij, Volteri analizon rezistencën çerek shekullore të shqiptarëve kundër perandorisë osmane dhe argumenton se faktorët themelorë të fitoreve të Skënderbeut janë dy:
1) shqiptarët janë popull luftarak.
2) Shqipëria është vend malor dhe se mospërulja është veçori e banorëve të maleve.
Me veprimtarinë e vet të gjatë, fitoi autoritet në mbarë Evropën. Për këtë arsye, periudha e iluminizmit apo shekulli XVIII u quajt “shekull i Volterit”.