9 nëntor 1917 u vra Themistokli Gërmenji. Ai ishte një atdhetar dhe luftëtar shqiptar. Lindi në Korçë në një familje me origjinë nga fshati i Gërmenjit, i biri i Thanasit dhe Katerinës. I ati qe themelues i lëvizjes “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, e për shkak të veprimtarisë së tij u vra në Thrakë. Më 1892 mërgon për në Rumani bashkë me vëllanë, Telemakun. U kthyen në atdhe pas nëntë viteve, dhe u vendosën në qendrën e vilajetit, Manastir. Aty hapën hotelin “Liria” në fillim të vitit 1908, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë. Qe pikë mbledhjeje për rininë shqiptare që shkollohej atëkohë në qytet. Ndihmoi për organizimin e Kongresit të Manastirit, që u mbajt në hotelin e tij. Në fillim të prillit të vitit 1911, Th. Gërmenji shkoi në Sofje, ku e priti Nikollë Ivanaj. Gjatë kohëve të Luftës Ballkanike lidhet me Ismail Qemal bej Vlorën dhe emërohet nënprefekt në Skrapar. Me ardhjen e Princ Vidit është shef policie në Korçë, por me ardhjen e grekëve shtrëngohet të dalë në Bullgari. Me vrasjen e të vëllait, Telemakut, do kujdesej për rritjen e të birit, Vasilit. Vjeshtën e 1916 gjendet në Pogradec përballë me autoritetet bullgare dhe shërbimin e kundërzbulimit austro-hungarez. I ndërgjegjshëm për synimet bullgare dhe duke parë krahinën e Korçës që përjetonte përleshje mes çetave të Sali Butkës dhe trupave paraushtarake venizeliste, i propozon francezëve për vendosjen e një administrate shqiptare. Më dt. 8 dhjetor 1916 në krye të treqind vetëve hyn në Korçën e spastruar prej grekëve nga prania franceze dhe ndërmerr formimin e një këshilli administrativ dhe shpall Republikën Shqiptare të Korçës më 10 dhjetor me bekimin e Henri Deskuen komandant i garnizonit francez në qytet. Themistokliu u emëruar prefekt. Pas disa intrigave, ftohet apo arrestohet në Selanik ku iu bë një gjyq ushtarak në tetorin e 1917, me sa duket me dijeninë e gjen. M. Saraj – i cili ushtronte të drejtat e presidentit të Republikës. Themistokli Gërmenji pushkatohet nga një togë franceze pas shpalljes fajtor nga gjyqi ushtarak për kontaktet që kish pasur me autoritetet austro-bullgare në Pogradec para marrëveshjes me francezët.
Para ekzekutimit i shkruan këtë letër së shoqes:
“E dashura ime Evdhoksi,
Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’ jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur. Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës. Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917. Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri.”