Shpenzimet për mbrojtjen kanë filluar të ndryshojnë në mënyrë radikale në shumë vende që pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2022.
Për vitin 2024, Shqipëria pritet të shpenzojë për sektorin e mbrojtjes rreth 310 milionë euro, me një rritje të konsiderueshme prej 27% përkundrejt buxhetit 2023. Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes është e konsiderueshme duke marrë parasysh se shpenzimet e përgjithshme buxhetore pritet të rriten me vetëm 7.1%.
Në total, programi i investimeve të mbrojtjes për periudhën 2022-2028 arrin në gati 800 milionë euro.
Investimet e reja të planifikuara në tavanet buxhetore të këtij viti vijnë krahas programit ekzistues të investimeve, të cilat përfshijnë blerjen e avionëve pa pilot me vlerë 75 milionë euro, program që ka nisur në vitin 2022 apo ndërtimi i një poligoni në Pajet me vlerë mbi 2 milionë euro.
Shqipëria ka një ushtri të vogël me një personel prej 6,600 vetësh, ushtria e pestë më e vogël mes vendeve anëtare pas Luksemburgut, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Slovenisë, duke mos llogaritur Islandën, vendin e vetëm anëtar të NATO-s që nuk ka ushtri.
Shtetet e Bashkuara me 1.34 milionë trupa dhe Turqia me 461 mijë janë vendet anëtare me ushtritë më të mëdha.
Llogaritjet e NATO-s tregojnë se sipas të dhënave të vitit 2023, Shqipëria është vendi anëtar me shpenzimet më të ulëta për frymë në sektorin e mbrojtjes. Mbrojtja i kushton këtë vit qytetarëve shqiptarë 93 dollarë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kushton 114 USD e në Malin e Zi, 151 USD. Mbrojtja u kushton amerikanëve 2,220 dollarë në vit, ndërsa norvegjezëve u kushton 1,339 dollarë. Vendet e mëdha si Gjermania apo Franca janë kritikuar prej vitesh për shpenzime të ulëta. Një qytetari gjerman mbrojtja i kushton 677 dollarë në vit ndërsa atij francez, 737 dollarë.