Aeroplanët luftarakë të Izraelit kanë kryer sulme ajrore sot përgjatë kufirin me Libanin, pasi grupi militant Hezbollah ka kryer sulme në caqet ushtarake izraelite.
Përshkallëzimi është raportuar një ditë pasi lideri i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, ka thënë se grupi i tij i fuqishëm tashmë është përfshirë në luftimet e pashembullta përgjatë kufirit Liban-Izrael.
Ai ka kërcënuar me përshkallëzim të mëtejmë nëse Izraeli e intensifikon luftën në Gazë me grupin militant Hamas, i cili është aleat i Hezbollahut.
Nasrallah ka thënë se Hezbollahu është i përgatitur për të gjitha mundësitë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, në anën tjetër, ka thënë se aeroplanët luftarakë izraelitë, tanket dhe artileria kanë gjuajtur drejt burimeve të sulmit në anën e Libanit dhe i kanë shënjestruar depotë e armëve dhe infrastrukturën e Hezbollahut.
Shkëmbimi i zjarrit mes dy palëve ka nisur pas sulmeve të Hamasit në tokën izraelite më 7 tetor, duke i lënë të vdekur mbi 1.400 civilë.
Qysh atëherë, Izraeli i ka nisur sulmet në Gazë, të cilat i kanë lënë të vdekur mbi 9.000 persona, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.