580 Vjet Rikthimi i Gjergj Kastriotit në Atdhe

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 3 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u rikthye në atdhe. Kjo datë hapi një faqe të re në historinë e qendresës shekullore antiosmane. Zoti i Arbërisë, ashtu siç Gjergj Kastrioti e nënshkroi veten, la fushëbetejën e Nishit, për t’iu drejtuar Krujës në krye të 300 kalorësve. Me të mbërritur, u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve. “Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj”, citohet (“Historia e Skëndebeut” nga Marin Barleti) të ketë thënë heroi ynë kombëtar duke iu drejtuar turmës entuziaste, më 28 nëntor 1443, kur për herë të parë në histori, në Krujë u ngrit flamuri kuq e zi. Që prej këtij viti e gjersa u shua, qëndroi i pathyeshëm në krye të Shqipërisë në luftën 25-vjeçare kundër osmanëve. Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historiografisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar europiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here