145 Vjet Kuvendi i Dibrës

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 1 nëntor 1878, krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbajtën Kuvendin e Dibrës. I prirë prej Iljaz pashë Dibrës dhe Abdyl bej Frashërit, Kuvendi kërkoi autonominë e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane.
Rezoluta e përpiluar prej Abdyl bej Frashërit, e cila do t’i dorëzohej sulltanit në Stamboll, përmbante 5 pika:
1. Vilajeti i Shqipërisë;
2. Nëpunësit shqiptarë;
3. Arsimi shqip;
4. Kuvendi i vilajetit;
5. Buxhet për arsim dhe infrastrukturë
Së pari, parashtrohej që Vilajeti i Shqipërisë të formohej nga katër vilajetet e atëhershme: Shkodra, Kosova, Manastiri e Janina. Në Shqipëri, të shërbenin si nëpunës vetë shqiptarët, duke i dhënë kështu fund diskriminimit dhe kolonizimit. Në shkollat që do të hapte vilajeti, kërkohej të mësohej shqip. Sipas rezolutës, viset e vilajetit do të zgjidhnin një kuvend, i cili do të ngarkohej me: caktimin e buxhetit, emërimin e qeverisë dhe të gjykatave të vilajetit, si edhe me ndërmarrjen e “reformave të dobishme për shtetin dhe për kombin”. Në shkurt 1879, një delegacion shqiptar ia paraqiti këto kërkesa Perandorisë, e cila i shpërfilli dhe u kundërpërgjigj me forcë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here