Dhunohen dhe grabiten tre Shqiptarë në Athinë

Një baba 42-vjeçar dhe dy djemtë e tij, 23 dhe 17 vjeç, të gjithë shtetas shqiptarë, kanë qenë shenjestër e një grabitjeje me dhunë brutale në zonën Kolonos në Athinë.

Sipas mediave greke, gjashtë persona i kanë rrahur dhe grabitur në sheshin kryesor të lagjes, ku 42-vjeçari shqiptar ishte ulur me dy djemtë e tij, 23 dhe 17 vjeç, në një stol, kur anëtarët e bandës së pamëshirshme iu afruan. Sipas burimeve policore, pesë prej tyre ishin të veshur me rroba të zeza dhe kapuç, ndërsa drejtuesi i kishte të pambuluara tiparet e fytyrës. Ishte ky i fundit ai që iu afrua familjes shqiptare dhe me ton të fortë i kërkoi babait t’i jepte 5000 euro.

42-vjeçari shqiptar është përgjigjur se nuk do t’i japë paratë që kërkon dhe më pas të gjashtë personat kanë filluar ta godasin me grushta dhe shkelma në kokë, derisa ai ra në tokë i gjakosur. Njëri prej grabitësve i ka rrëmbyer celularin, ndërsa anëtarët e tjerë të bandës kanë sulmuar edhe djemtë e tij. 23-vjeçari ka mbetur i plagosur në brinjë dhe i është hequr varësja prej floriri nga qafa. Autorët janë larguar me vrap, ndërsa viktimat janë dërguar në Kryqin e Kuq, ku u është dhënë ndihma e parë. Sipas dëshmive të viktimave, kreu i bandës është bashkëkombasi i tyre dhe vetëm 18 vjeç. Siç konstatuan punonjësit e policisë së Kolonos, nga dosja e tij, ai është i njohur për krime të ngjashme. Autoritetet greke vijojnë me hetimet për identifikimin e gjashtë anëtarëve të tjerë të bandës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here