Në një ditë si sot dhe pikërisht më 28 tetor 1912, u shënua pika kulmore e rrethimit të Shkodrës. Kjo ndodhi historike, që zgjati përkundër pritshmërive, përbën një faqe të lavdishme të qendresës së shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike. Në klimën e përleshjeve në Ballkan, u krijua një aleancë antiturke mes Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Në këto kushte destablizuese, më 8 tetor 1912, Mali i Zi nisi të depërtonte në Shkodër, pasi i pat shpallur luftë Perandorisë Osmane. Pala agresore, që numëronte rreth 30 mijë trupa, u përball me një rezistencë 6-mujore, të mobilizuar për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Në mbrojtje të Shkodrës, morën pjesë disa mijëra trupa nën komandën e Hasan Riza Pashës. Formacionet gjendeshin të dislokuara në 5 rajone: Shtoj, Bardhaj, Berdicë, Tarabosh dhe Tepe. Në luftime, mori pjesë edhe Esat Pashë Toptani, nën drejtimin e të cilit ishin vendosur rreth qytetit më shumë se 15 mijë mbrojtës rezervistë shqiptarë, të ardhur nga Lezha, Dibra, Mirdita, Kruja, Tiranë, Shijaku, Durrësi, Kavaja, Elbasani, Gramshi, Peqini dhe Puka. Në hyrje të vitit 1913, mbetet i vrarë në rrethana ende të paditura Riza Pasha. Rrethimi i Shkodrës përfundoi më 23 prill 1913 me nënshkrimin e një protokolli dorëzimi nga Esad Pasha. Lidhur me këtë episod historik kanë shkruar autorë shqiptarë dhe të huaj, sikurse: Edith Durham (Brenga e Ballkanit) dhe Zambuar (Rrethimi i Shkodrës).