Hasan Tahsin Pasha ishte pasardhës i familjes fisnike Mesare nga fshati me të njëjtin emër që ishte pjesë e kazas’ së Leskovikut në Vilajetin e Janinës së Perandorisë Otomane në shek. XIX. Ai lindi më 1850 në Mesare (Çarshovë) dhe pasi përfundoi studimet në Zosimea të Janinës duke zotëruar kështu arsimin helen fillon karrierën si ushtarak në Katerini më 1870 dhe arrin të bëhet në moshën 36 vjeç Komandant i Xhandarmërisë së Janinës dhe tri vjet më vonë emërohet Komandant i Garnizonit të Selanikut. Më 1908 është Guvernator i Jemenit dhe dy vjet më vonë Gjeneral Lejtnant Otoman si Komandant i Korpusit III në Selanik. Më 1912 merr postin e Guvernatorit Gjeneral të Vilajetit të Janinës të cilin detyrohet ta lërë pas disa muajsh për të udhehëqur trupat otomane të Korpusit VIII në Selanik kundër ushtrisë Greke të udhëhequr nga Princi i Kurorës, Kostandini I. Pra ishte vetë Hasan Tahsin Pasha ai i cili me frazën: “Nga grekët e morëm qytetin dhe tek ata po e kthejmë” zgjodhi t’ia dorëzonte qytetin Ushtrisë Helene në vend të bullgarëve pushtues dhe shmangu gjakderdhjen e popullsisë së qytetit dhe të zonave përreth tij nga raprezaljet e Divizionit VII Bullgar duke firmosur aktin e paqes më 26 Tetor 1912 te gjeneralët Dushmani dhe Metaksa, të dërguarit e mbretit Gjergji I i Greqisë. I biri, Kenan Mesarea lindi në Janinë më 1889 dhe ishte piktor autodidakt i cili është quajtur “piktori i luftërave ballkanike”. Thuhet se ai ka hartuar Paktin e dorëzimit të Selanikut në frëngjisht ku ishte i pranishëm si adjutant i të atit. Nipi i tij, Shahin – Inis Mesares lindi më 1936 në Janinë dhe ishte si arkitekt i njohur një nga ideuesit kryesorë të zgjerimit të planit urbanistik të Janinës. Vdiq në Athinë më 13 Tetor, 2017. Atdhetari shqiptar Hasan Tahsin Pasha Mesarea u varros tri herë. Një herë në Lozanë më 1918 ku ishte dërguar i mbrojtur nga vetë Kryeministri Venizelos, një herë më 1937 në varrin e familjes Mesare në Varrezat Shqiptare në Triandria të Selanikut (që u dhunuan nga selanikasit e rinj me ndjeshmërinë e tyre të njohur për historinë e vjetër të qytetit të ri që tashmë trashëgojnë) dhe përfundimisht më 2006 eshtrat e tij do të prehen në Varrezat Ushtarake të Luftrave Ballkanike afër lumit Aksios, pranë vendit të quajtur Γέφυρα (shqip. Ura), pikërisht aty ku edhe u nënshkrua akti i dorëzimit të Selanikut, vetëm 20 km në veriperëndim të tij, të qytetit që një shqiptar nga Mesarea me vetëmohim e shpëtoi dhe paturpësisht ky Selanik i ri thjesht apo qëllimisht e harroi…