Për herë të parë, Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka përcaktuar më 11 tetor 2012
Kjo ditë ndërkombëtare synon të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën në fusha të tilla si, ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, trajnimi, si dhe lirinë nga dhuna dhe abuzimi.
Sipas fakteve botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tre herë më shumë të kequshqyera se djemtë. Çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15 vjeç janë të trafikuara, të shitura ose të detyruara të punojnë në tregtinë e seksit; gjithashtu vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsim dhe në shërbime të tjera bazë.
Në aspektin shëndetësor, të dhënat botërore tregojnë se një foshnje vajzë ushqehet me gji nga nëna deri në tetë javë më pak se një foshnje djalë. Nga ushqyerja me gji mund të parandalohen rreth një milion vdekje të fëmijëve në vit.
Në aspektin social vihet re se në botë 1 në çdo 3 vajzave është e martuar para moshës 18 vjeç. Rreth gjysma e të gjitha vajzave në vendet në zhvillim bëhen nëna para se ato të jenë 18 vjeç. Ndërkohë, rreth 50.000 vajza të moshës 15-19 vjeçare vdesin çdo vit gjatë lindjes së fëmijës së tyre.
Të dhënat mbi arsimin tregojnë se në mbarë botën rreth 36 milionë vajza në moshë për të nisur shkollën fillore nuk janë të regjistruara në shkollë. Ndërkohë, mendohet se arsimimi më i mirë i vajzave dhe grave mund të reduktojë me 16 për qind urinë e njerëzve në botë. Në këtë ditë të veçantë pranohet botërisht se dhënia e mundësive të barabarta për vajzat është një e mirë për të gjithë shoqërinë. Përmirësimi i jetës së tyre ka një efekt të dukshëm, ndaj çfarë është e mirë për to është dhe për të gjithë njerëzimin.