Në një ditë si sot dhe pikërisht më 24 Shtator të vitit 1915 u nda nga jeta Dedë Gjo Luli.
Ai ishte një figurë atdhetare shqiptare, i shquar si Komandant i Kryengritjes në Malësinë e Madhe.
Lindi në Traboin më 1840, sot në Tuz të
Malit të Zi.
Anëtar i Lidhjes së Prizrenit, Luli mori pjesë në qëndresën e organizuar për mbrojtjen e Hotit e të Grudës kundër Kongresit të Berlinit për t’i lëshuar territore Principatës së Malit të Zi.
Në vitet e fundit të shek XIX, Dedë Gjo Luli u aktivizua përsëri në lëvizjen për autonominë e Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Shkodrës që vendosi bashkimin me Lidhjen e Pejës. Aftësitë e tij si organizator, si prijës luftarak dhe si udhëheqës popullor, u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes antiosmane të 1911. Nën udhëheqjen e tij malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta.
Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike e vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Dedë Gjo Luli iu desh, megjithëse në moshë të thyer, të vazhdonte luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. E tërë jeta e Dedës dhe familjes së tij është një shembull i papërsëritur atdhetarie. Një familje gati e shuar, por një familje, që kujtohet e nderohet për bëmat në emër të Atdheut.
Deda u vra më 24 shtator 1915 në Sheshëz afër Oroshit, nga një pritë e bërë nga malazezët e serbët.