Në një ditë si sot dhe pikërisht më 3 Shtator 1926 lindi si Irene Lelekou artistja e famshme greke në fshatin e Chiliomodit në rrethinat e Korintit. E ëma e saj, Eleni Prevezanou ishte arsimtare dhe i ati, Stavros Lelekos jepte mësim dramaturgji klasike në shkollën Sofikós të Korinthit. Vetë aktorja në një intervistë, e pyetur se përse ishte kaq ezmere, është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmëshqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”. Talentin e Irenës e zbuloi Elia Kazan.
Irene Papas luajti Helenën në filmin “Trojanet”, Klitemnestrën te filmi “Ifigjenia”, Elektrën te filmi me të njëjtin titull, Antigonin te Antigona, etj.
Ndërsa filmat më të njohur ku ka interpretuar janë Zorba the Greek dhe Z.
Irene Papas ishte gruaja e Alkis Papas dhe e dashura e Marlon Brandos. Në një intervistë pas largimit nga jeta të Marlon Brandos ajo tha se kishte pasur një marrëdhënie me aktorin amerikan dhe se pastaj kishin mbetur “miq të mirë” deri në fund.
Është vlerësuar me një mori çmimesh ndërkombëtare.