Shën Ajden i Lindisfernit (590-31 Gusht 631) ishte një murg dhe misionar nga Irlanda, I cili ka meritën për konvertimin e banorëve të Northumbrias (mbretëri që përfshinte veriun e Anglisë dhe Jug-Lindjen e Skocisë). Shenjti do ndërtonte dhe një kishë në ishullin e Lindisfernit (në bregun Veri-Lindor të Anglisë). Shenjtori njihet edhe si “Apostulli” i Northumbrias, për shkak të punës së tij të palodhur dhe përhapjes së Ungjillit.
Ndërsa, Shën Bede, shkruan për shenjtorin duke thënë:
Ai e përshkoi qytetin dhe fshatin në këmbë, kurrë me kalë, përveçse nëse detyrohej nga ndonjë nevojë urgjente dhe kudo që në rrugën e tij shihte ndonjë person, qoftë të pasur apo të varfër, i ftonte ata, nëse ishin jobesimtarë, të përqafonin misterin e besimit apo nëse ishin besimtarë, t’i forconte në besim dhe t’i nxiste me fjalë e vepra, për lëmoshë dhe punë të mira. Leximi i shkrimeve të shenjta dhe psalmeve, dhe meditimi mbi të vërtetat e shenjta ishte puna e përditshme e tij dhe e të gjithë atyre që ishin me të, kudo që shkonin dhe nëse ndodhte, gjë që ndodhte rrallë, që ai të ftohej për të ngrënë me mbretin,nxitonte të shkonte për të lexuar Ungjillin.
Në atë kohë, shumë besimtarë të nxitur nga shembulli i tij, e përvetësuan zakonin e Kreshmimit. Nëse merrte para nga të pasurit, ai ose i shpërndante ato, ose ua jepte si shpërblim atyre që ishin shitur gabimisht për skllevër. Për më tepër, ai çoi shumë besimtarë në rendin e priftërisë.
1- Historia kishtare e Anglisë, Libri 3, kapitulli 4