NGA KAMPET E PUNËTORËVE TË SHTETIT TE “BUJTINAT” E PUSHTETIT

Nga EVANTHI PANGO

Për arsye shëndetësore m’u desh që të qëndroja e të punoja mbi një javë nga Alpet e Shqipërisë. Bukur tingëllon, e në fakt nuk duhet të ishte ky sebepi për të vajtur e për të qëndruar në mal, por si gjithandej, u bë kohë që edhe ne shqiptarët jemi larguar nga klima malore. Zgjodha Thethin, se më ishte thënë që ka ujë dhe klimë shëruese, e në fakt, e drejtë ishte, por edhe e dhimbshme arsyeja që më privoi qëndrimin aty në vetëm një ditë, e pastaj m’u desh të vazhdoja qëndrimin në Malësitë aty afër.
Nuk e di pse u është kultivuar shqiptarëve vitet e fundit, vetëm vajtja në JUG për plazh, aq larg kësaj klime aq të domosdoshme në Verë, Veri a Jug qoftë, sepse në Shqipëri, Malësia është Malësi, si Jug si Veri.
Por kur vajta atje e kuptova qartë.
“Punojmë vetëm me të huaj, prandaj i mbajmë çmime të larta” ishte përgjigja që hasja shpesh, me arrogancën që tashmë ne punojmë vetëm me Gjermanët.
Kush po ua fut këtyre njerëzve urrejtjen ndaj të vetëve, mendoja.
Do e kuptoja më vonë, ku përpos çmimeve nga 100-200 euro nata, për fjetje në Bujtinat më modeste, 100 euro një vakt në restorantet poshtë Bujtinave të Kontenierëve prej Druri të sjellë e të mbjellë (pasi nuk lejohej as ushqimi në dhomë dhe nuk shitej asgjë që mund të blihej e të merrej ushqim me vete). Përpos, faktit që kishte probleme me ujë e me dritat (popo siç e dëgjuat, me ujë për t’u larë, kur burimet e lumenjtë janë te këmbët), e nuk plotësohej asnjë standart ushqimi e higjiene. Përpos faktit që ishte hera e parë në jetën time që po ndieja rracizëm të shqiptarit ndaj shqiptarit (se ne merremi me të huaj), dhe mendoja me vete “Çudi, në çdo vend të Evropës që më ka rënë rasti, kam gjetur gjuhën si me shërbimin si me çmimet, këtë urrejtjen vendas me vendas s’po e kuptoj.”

Por e kuptova më vonë miqtë e mi!
Kur dola në mëngjes, se ma tha mendja të rifilloja prapë sportin atë ditë. Të paktën një ecje! Mendova, klima e natyra do më ndihmonte. Dhe as 50 metra larg bujtinës (hotele në fakt) ku qëndroja, ishte kjo pamje. Dhe unë nuk kisha ku ecja, dhe po të kisha, nuk do mundesha dot. Pamja është e qartë, siç do e shihni në videot më poshtë. Shkatërrim, masakër natyrore, shfrytëzim të pasurive natyrore. Lumi nuk është as te shtrati i tij, dhe aq më pak në çezmat apo këmbët tona, siç pretendon Kryeministri. Me Lumenjtë e Shqipërisë janë bërë masakra. Shumica prej tyre, janë dhënë
për HECE, në rastin më të rëndë, ose shfrytëzohen duke u devijuar shtratin, e duke u marrë ujin për llogari personale.
Shqipëria është tharë për Ujë!

Dhe po ngriheshin ato miqtë e mi!
BUJTINAT E PUSHTETIT!
Nuk ishin më bujtinat tradicionale të banorëve të fshatit, të paktën në Theth. Nuk ishin shtëpitë e gurit, e shtëpi të vogla. Tashmë ishin Kthyer në Bujtinat e Pushtetit, financuar nga vetë ai për llogari të tij, dhe priteshin “të korreshin” të ardhurat!
Nga të huajt!
Se ata duan s’duan do lënë para!
Se ata janë të sjellshëm, e s’do merren e s’do kuptojnë gjë!
Do lënë para e do ikin.
KÇK muhabeti me një fjalë.
KÇK në rang Pushteti.
Atje, në Theth, ku dikur sipër në Natyrë, ndërtoheshin Kampet e Punëtorëve të SHTETIT.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here