85 Vjet që na mungon Migjeni

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 26 gusht 1938, i sëmurë prej tuberkulozit, dha frymën e tij të fundit poeti Millosh Gjergj Nikolla, i njohur gjerësisht me pseudonimin Migjeni. Pas pesë muajsh në Sanatorium San Luigi pranë Torinos ku ishte shtruar ai u transferua në spitalin Valdensian në Torre Pellice ku ndërroi jetë.
Lindi në Shkodër në një familje të varfër qytetare.

Ai ndoqi shkollën fillore ortodokse në Shkodër. Nga viti 1923 deri në vitin 1925 shkollën e mesme në Tivar të Malit të Zi, ku ishte shpërngulur motra e tij Lenka. Në moshën 14 vjeçare, në vjeshtën e vitit 1925, ai mori një bursë për të ndjekur shkollën në Manastir (Bitola, Maqedoni e Veriut) nga ku u diplomua në vitin 1927,  pastaj hyri në urdhrin ortodoks të Shën Gjon Teologut, për hir të besimit ortodoks të familjes së tij, ku studioi sllavishten e vjetër kishtare, rusisht, greqisht, latinisht dhe frëngjisht deri në qershor 1932.

Gjatë viteve 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo kohë përkon edhe me zhvillimin e veprimtarisë së tij letrare.

Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai trajtoi varfërinë e viteve kur jetoi, me krijime të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e  klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

Në lidhje me trashëgiminë e tij, Robert Elsie shkruan: “Megjithëse Migjeni nuk botoi asnjë libër gjatë jetës së tij, veprat e tij, të cilat qarkulluan privatisht dhe në shtypin e asaj periudhe, patën një sukses të menjëhershëm. Migjeni i hapi rrugën letërsisë moderne në Shqipëri dhe vdekja e tij në moshën njëzet e gjashtë vjeçare ishte një humbje tragjike për letërsinë bashkëkohore shqipe”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here