4 Vjet që na mungon Fatos Baxhaku

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 16 gusht 2019 u nda nga jeta gazetari i spikatur, historiani, publicisti dhe pedagogu, Fatos Baxhaku.
“Atdheu është ajo gjë që të mungon sa herë që je jashtë dhe thua me krenari ‘I am Albanian’!”
Përmbi këto cilësime, Baxhaku ishte atdhetari i përveçëm, që përmes penës së tij autentike përshk(r)oi Shqipërinë thuajse pëllëmbë për pëllëmbë, portretizoi gjindjen dhe si një mentor për të qenë, la pas arketipe të gjinisë së reportazhit të shkruar dhe televiziv. Ngase i çmonte skrupujt, në vend të lamtumirës na kushtoi një doracak të vyer mbi atdhedashurinë.
Përgjatë vjetëve 1982-1986 ndoqi studimet në degën e Historisë, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë. Duke nisur nga viti 1986 e deri në vitin 1992, punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Në intervalin e vjetëve 1993-1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Më tej, pati detyrën e kryeredaktorit në televizionet private kryesore.
Baxhaku ishte autor dhe bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpa e Vjetër” (Digitalb), si edhe i shumë dokumentarëve. Në fushën e botimeve, publikoi “Shoqëritë e Masave Fisnore të Shqipërisë së Veriut”, “Gur” (reportazhe), “Guidë për Shkodrën”, “Në Mirditë & rreth e rrotull”, “Roje”, “Çadra e kuqe: histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX –XXI”, “Gra të të përgjithshme” 2014 (me bashkëautore Klodiana Kapo) dhe “Në emër të Noes”, botuar një vit pas ndarjes së tij nga jeta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here