100 Vjetori i aktorit Naim Frashëri

Në një ditë si sot dhe pikërisht më 12 gusht 1923, lindi aktori Naim Frashëri.

Nuk qe rastësi që pasardhësi i një familjeje bejlerësh të Përmetit, u quajt njëjtë sikurse poeti rilindas me prejardhje nga Frashërllijntë. Nderimi për figurën e autorit të poemës emblematike “Bagëti e Bujqësi”, i shtyu natyrshëm të parët e aktorit t’i vinin po atë emër që do mbetet përjetësisht në analet e historisë dhe letërsisë së vendit tonë.

Në skenën e Teatrit Kombëtar, do të ngjitej për të ekzekutuar rolet e para në vitin 1945. Megjithatë, pasioni për aktrimin pat gjalluar prore tek ai. Më herët, pat marrë pjesë në teatrin partizan. Njëhershëm, luftëtar dhe aktor, Naimi spikati në rolet e tij për gjetjet aktoreske.

Valeri te “Tartufi”, Gjoni te “Trimi i mirë me shokë shumë”, gjenerali te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Leka te “Përkolgjinajt”, Nikolla te “Armiqtë”, Sasha Ribakov tek “Orët e Kremlinit”, Lubeni te “Procesi i Lajpcigut” dhe Hamleti te “Hamleti”, qenë disa prej roleve të tij më të duartrokitura. Jonuz Bruga te “Familja e Peshkatarit”, do të ishte petku i 80-të dhe i fundit që do të mbante Frashëri në karrierën e tij të ngjeshur.

Në zhanrin e filmit ka interpretuar në 8 prodhime kinematografike, mes të cilave përmendim padyshim rolin tek “Skënderbeu” më 1953-n, si edhe tek filmi “Tana” më 1958-n. Për mjeshtrinë e tij, është nderuar me urdhrin e lartë “Hero i Punës Socialiste” dhe me titullin “Artist i Popullit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here