Në një ditë si sot dhe pikërisht më 31 korrik 1949, Mit’hat Frashëri zgjidhet kreu i Komitetit “Shqipëria e Lirë”.
Në tetor të po atij viti, Frashëri do të ndërronte jetë në moshën 69-vjeçare nga një goditje në zemër, në Hotelin “Winthrop” të Nju Jorkut, në SHBA. Me ardhjen e regjimit komunist, ai largohet për në Itali. Vitet e para të Luftës së Ftohtë i kaloi duke u përpjekur për të mbledhur një koalicion të forcave antikomuniste shqiptare në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara.
Mid’hat bej Frashëri emri i të cilit radhitet edhe si Mit’hat (njohur me emrin e pendës Lumo Skëndo; lindi në Janinë më 25 mars 1880. Ai ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Në rininë e tij ka qenë nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe pjesëmarrës dhe kryetar i Kongresit të Manastirit, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë qe ministër, diplomat i shtetit shqiptar, kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë” Në botën e letrave ka kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog. Mes të tjerësh, ka qenë ndër etërit e nacionalizmit shqiptar dhe bashkëpunëtor me praninë ushtarake gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ishte biri i veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare, Abdyl bej Frashërit. Gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij u shqua si patriot i flaktë, politikan i zellshëm, administrator i drejtë, publicist penëmprehtë, botues skrupuloz dhe bibliofil i pashoq. Prej shumë shkrimeve që la pas, shkëpusim dy fjali ende të rëndësishme për shqiptarët sot dhe nesër: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan” (pjesë e fjalës së tij drejtuar konferencës së posaçme që parapriu krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene) dhe “Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.”