100 vjeçari Henry Kissinger ish-Sekretari i Shtetit që ka shtyrë Shtetet e Bashkuara të kenë një qasje më pajtuese ndaj Kinës, ka bërë një vizitë të papritur në Pekin, duke u takuar me Liderin Suprem të Kinës, Xi Jinping, si dhe ministrin e saj të mbrojtjes, Li Shangfu, i cili muajin e kaluar refuzoi një ftesë për t’u takuar me sekretarin e mbrojtjes së SHBA.
Kissinger i tha Ministrit Li se ai ishte “këtu si mik i Kinës”, sipas përshkrimit të takimit të ministrisë së mbrojtjes, dhe se të dy vendet duhet “të eliminojnë keqkuptimet, të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe të shmangin konfrontimin”.
“Dr. Kissinger (Doktoraturë në Harvard), ka dhënë një kontribut historik për thyerjen e akullit Kinë-SHBA dhe luajti një rol të pazëvendësueshëm në rritjen e mirëkuptimit midis dy vendeve. Politika amerikane ndaj Kinës ka nevojë për mençuri diplomatike të stilit Kissinger dhe trimëri politike të stilit të Nixon,” tha Wang Yi, kryediplomati i Kinës, sipas një deklarate nga ministria e jashtme e Kinës.
Kissinger tha zotit Wang se “pa marrë parasysh sa e vështirë është, të dyja palët duhet ta trajtojnë njëra-tjetrën si të barabartë” dhe se “është e papranueshme të përpiqesh të izolosh palën tjetër”.
Në të njëjtën kohë kur zoti Kissinger ishte në Pekin, i dërguari i Presidentit Biden për klimën, John Kerry, po takohej gjithashtu me zyrtarë në kryeqytetin kinez. Javët e fundit, sekretari aktual i shtetit, Antony J. Blinken dhe sekretarja e thesarit, Janet L. Yellen, kanë udhëtuar gjithashtu në Pekin.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve në një konferencë të planifikuar rregullisht të martën se administrata e Biden e dinte se zoti Kissinger po planifikonte të udhëtonte në Kinë. Por zoti Kissinger ishte “aty me vullnetin e tij, duke mos vepruar në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara,” tha zëdhënësi, Matthew Miller.