Sten ( Stan) Dragoti, regjisori i njohur i Hollivudit, është bir i një emigranti shqiptar. Ai lindi në Manhatan, më 4 tetor të vitit 1932. Fillimisht, punoi si piktor e më pas, në një agjenci reklamash deri më 1966.
Më pas, do të bashkëpunonte me legjendën e ardhshme të reklamave Charlie Moss, i cili e rekrutoi Dragotin në fushatën “I Love New York”, me qëllim për të fuqizuar turizmin në shtetin e Nju Jorkut.
Suksesi i tij i parë si regjisor, erdhi më 1979 –ën, me komedinë romantike “Love at First Bite”, ku George Hamilton interpretonte Drakulën, i cili shpërngulet në qytetin e Nju Jorkut.
Një tjetër nga sukseset e Dragotit ishte edhe “The Man With One Red Shoe (1985) – (Njeriu me një këpucë të kuqe(, ku interpreton aktori i njohur Tom Hanks.
Bashkëshortja e dytë e Dragotit, ishte supermodelja Cheryl Tiegs, me të cilën u martua më 1970-ën. Gjatë rrugës drejt Festivalit të Filmit në Kanë, në vitin 1979, Dragoti u kap me 21 gram kokainë nga autoritetet në aeroportin e Frankfurtit, Gjermani. Ai kaloi tetë javë në burg, përpara se gjyqtari ta lironte dhe të pezullonte dënimin prej 21 muajsh.
Dragoti do të shprehej se drejt drogës e kishte çuar mbingarkesa në punë dhe marrëdhënia jashtëmartesore që Tiegs, e shoqja, kishte me fotografin Peter Beard. “Mund të thoni, se nuk isha kaq i fortë, sa ta duroja dhimbjen” – ka thënë rreth kësaj, në një artikull për revistën “People”, në vitin 1979.
Në foton e mësipërme shohim aktorin e famshëm hollivudian James Belushi dhe regjisorin Stan Dragoti në vitin 1985 me veshjen tradicionale shqiptare!
Sten Dragoti u nderua nga Shqipëria me titullin e lartë “Nderi i Kombit” .
Sten Dragoti u nda nga jeta, më 14 Korrik 2018.