Më 12 korrik 1874 lindi At Shtjefën Gjeçovi-Kryeziu, prift katolik, etnologjist e folklorist. Gjeçovi ishte autor i përmbledhjes me tradita, doke dhe rregulla zakonore shqiptare “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.
Kanuni i Lekë Dukagjinit u botua në revistën “Albania” të Faik Konicës më 1898 dhe 1899, dhe më pas vijoi të botohej në 36 numra të revistës së njohur “Hylli i dritës” në periudhën 1913-1914 dhe 1921-1924. Traktati zakonor shqiptar u botua i plotë pas vdekjes së Gjeçovit në vitin 1933 dhe shoqërohej me një parathënie të At Gjergj Fishtës.
Kanuni ishte de-fakto një përmbledhje e parimeve juridike në një kohë kur shumë shtete nuk kishin dokumeta themelore juridike si kushtetuta. Për vlerat që mbart, Kanuni i Lekë Dukagjinit ka tërhequr vëmendjen e studiuesve nga mbarë bota, nga vendet fqinje deri tek Japonia e largët.
At Shtjefën Gjeçovi u vra nga serbët më 14 tetor 1929. Prifti françeskan Gjeçovi ishte një atdhetar i zjarrtë dhe shkencëtar i aftë që do të kujtohet gjithmonë me respekt.