Anastas Nika na la në moshën 63 vjeçare

Anastas Nika, aktor i mirënjohur shqiptar u nda nga jeta në moshën 63-vjeçare pas një beteje të gjatë shëndetësore.

Anastas Nika aktor shqiptar, ka lindur në Sopik të Sarandës më 5 janar të vitit 1960. 

Filloi studimet e mesme në Shkollën e Kulturës në Tiranë, në degën e regjisurës, por përjashtohet në vit të tretë, pasi këndonte dhe u mësonte të tjerëve këngë të huaja, gjë e cila, nuk e lejohej në sistemin e atëhershëm monist. Si rrjedhojë, dënohet dy vite, duke u punësuar, si punëtor, në fabrika të ndryshme. Mandej, kryen dy vite shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke hapur tunele e ndërtuar bunkerë për makina e mjete të rënda ushtarake.

Pasi përfundoi shërbimin ushtarak, për pesë vite punoi punëtor në një fabrikë tullash, ku aty, për pak, desh humbi jetën, si rrjedhojë e punës në kushte të vështira.

Gjatë kësaj kohe punonte natën, për t’u aktivizuar ditën me trupën e Teatrit të qytetit të Sarandës, një nga ëndrrat dhe pasionet e tij .

Përfundoi shkollën e mesme për Agronomi. I jepet mundësia për të kryer një kurs për regjisor, pranë Teatrit Kombëtar, Tiranë. Vetëm në periudhën 1986-1990, iu plotësua një nga dëshirat e tij të mëdha jetësore: përfundoi me shumë sukses dhe i dalluar për rezultate, studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë, për aktor. Pas diplomimit emërohet aktor në Teatrin Profesionist të Elbasanit.

Me fillesën e proceseve demokratike, u rikthye në në qytetin e Sarandës dhe filloi ushtrimin e profesionit të tij në Teatrin e Estradës si aktor edhe regjisor.

Ka punuar si Specialist i Lëndës së Teatrit në shkollat e mesme të qytetit si dhe në kursin e Teatrit, pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Sarandë.

Për afro një çerekshekull ka arritur të zbulojë dhe punojë seriozisht dhe me ngulm profesional me talente të rinj , të cilët, paskëtaj, kanë përfunduar Akademinë e Arteve në Shqipëri dhe në vende të tjera të Europës.

Vitet e fundit atij i është dashur të luftojë me një sëmundje të rëndë.  Të afërm dhe miq të shumtë iu gjendën pranë për ta ndihmuar. Por këtë të mërkurë Anastas Nika mbylli sytë përgjithmonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here