Më 13 qershor, Kisha katolike përkujton shëna Ndoun e Padovës, meshtar françeskan dhe teolog ose Mjek Ungjillor, siç e quajti Papa Piu XII.
Shën Antoni adhurohet tek katolikët ortodoksët, budistët, por edhe te myslimanët. Me plotë të drejtë quhet shenjt universal – shenjti i botës.
Sipas mësimit të shën Antonit jeta e secilit të krishterë duhej të kishte për model ligjin e dashurisë hyjnore në dy drejtime: ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit. Ai ishte mbrojtës i të varfërve dhe shërbestar i tyre sipas shembullit të Krishtit.
Shën Antoni lindi në Lisbonë, në gjirin e një familjeje fisnike, rreth vitit 1195 e u pagëzua me emrin Fernand. Hyri ndër kanonikët që ndiqnin rregullin e Shën Agostinit, së pari në kuvendin e Shën Vinçencit, në Lisbonë, më pas, në Atë të Shëna Krygjës, në Koimbra, asokohe qendër e njohur kulturore e Portugalisë.
Ai njohu Shën Françeskun e Asizit e në saje të mandatit të tij predikoi në Itali, mbi dashurinë dhe përvujtërinë e duke kritikuar ashpër hipokrizinë, koprracinë e mendjemadhësinë deri sa mbylli sytë tek Portat e qytetit të Padovës, më 13 qershor 1231.
Vetë Papa Gregori IX, pasi e kishte dëgjuar duke predikuar, e quajti “Arka e Besëlidhjes” dhe e shpalli shenjt vetëm një vit pasi ndërroi jetë, më 1232,
Shëna Ndou apo Shën Antoni është i njohur në mbarë botën si “Shenjti i Popullit” e “Taumaturg” – “Mrekullibërës”. E kudo në botë, posaçërisht në Padovë të Italisë e Lisbonë të Portugalisë, po edhe ndër shqiptarë, Shën Antoni festohet me nderim të posaçëm e me solemnitet të veçantë në Laç të Sebastes, në Kurbnesh, në Gjakovë, në Prishtinë, në fshatin Glloxhan e në shumë vende tjera, ku mijëra besimtarë shtegtojnë në Kishat kushtuar shenjtit në trojet shqiptare.