Në një ditë si sot dhe pikërusht emë 10 qershor 1878, u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Lidhja ishte një organizim kombëtar i shqiptarëve të të gjitha trojeve, me qëllim kundërshtimin e vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit. Në mbledhjen e kësaj date, të drejtuar prej Iljaz Pashë Dibrës, u mbajtën fjalime nga delegatë të ndryshëm, një prej të cilëve dhe Abdyl Frashëri.
Lufta Ruso-Turke e viteve 1877-78 i dha goditje të rëndë fuqisë osmane në Ballkan, duke i lënë Perandorisë Osmane në zotërim vetëm vilajetet shqiptare dhe Ballkanin Lindor. Nga fundi i 1877-s qëndresa u bë e vështirë; më 13 dhjetor 1877 Serbia i shpalli luftë Perandorisë Osmane, edhe Mali i Zi po ashtu. Të dy shtetet mbështeteshin nga Ushtria Ruse dhe i shtrinë sulmet e tyre në Shqipërinë Veriperëndimore dhe Verilindore. Pas pushtimit të këtyre territoreve, ofiqarët osmanë shumica prej tyre të etnisë shqiptare, lironin territoret dhe/ose dëboheshin. Më 27 shkurt 1878 andartë grekë, të udhëhequr nga dy shqiptarë ortodoksë, Mino Lapa dhe Gogo Stefani, shtinë në dorë Lëkurësin.
Kërkesat e Lidhjes ndaj Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha ishin të qarta: 1. ruajtja e tërësisë territoriale të shqiptarëve; 2. autonomia administrative e trojeve shqiptare. Në mbështetje të këtyre kërkesave u ngritën degë të Lidhjes së Prizrenit në shumicën e qyteteve shqiptare.