Udhëtarët në një tren ndërqytetës në Austri u tronditën të dielën kur një regjistrim i një fjalimi të Adolf Hitlerit u luajt në bord.
Në vend të njoftimeve normale u dëgjuan thirrjet “Heil Hitler” dhe “Sieg Heil” nga altoparlantët e trenit.
Operatori tha se ka pasur disa incidente të tilla ditët e fundit.
Një pasagjer tha se të gjithë në tren ishin “plotësisht të tronditur”.
David Stoegmueller, një deputet i Partisë së Gjelbër, tha se fjalimi i liderit gjerman nazist u luajt në Intercom pak para se treni, një ÖBB Railjet 661, të mbërrinte në Vjenë.
“Dëgjuam dy pjesë. Fillimisht pati 30 sekonda fjalim të Hitlerit dhe më pas dëgjova thirrjet “Sieg Heil” nga turma”.
Zoti Stoegmueller tha se stafi i trenit nuk ishte në gjendje të ndalonte regjistrimin dhe nuk ishte në gjendje të bënte njoftimet e veta.
Hekurudhat Federale Austriake (ÖBB) deklaruan: “Ne distancohemi qartë nga përmbajtja. Aktualisht mund të supozojmë se njoftimet janë bërë nga njerëz direkt në tren përmes telefonave. Ne e kemi raportuar çështjen në polici,” tha ÖBB.
Mësohet se për dy persona janë bërë kallëzime.
Hitleri lindi në Austri dhe emigroi në Gjermani në 1913.