Më 3 maj 1877, nën drejtimin e Abdyl Frashërit, një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët më të shquar të kombit shqiptar, krijua Komiteti i Janinës, Organi Kombëtar Shqiptar për të përballuar pasojat negative të Krizës Lindore për kombin tonë. Në këtë Komitet bënin pjesë personalitete, që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e Vilajetit të Janinës, si Mehmet Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora (Vlorë), Sulejman Tahiri (Tepelenë), Myslim Vasjari (Kurvelesh), Sabri Gjirokastra (Gjirokastër), Mihal Harito (Zagori), Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino (Prevezë) etj. Komiteti i paraqiti një memorandum qeverisë së Stambollit, duke kërkuar unifikimin e të gjitha krahinave të banuara nga shqiptarët në një vilajet të vetëm, në një administratë me punonjësit shqiptarë, me shkolla dhe gjykata në gjuhën shqipe. Gjithashtu ky komitet ngriti nevojën për një kryengritje të armatosur për të krijuar një shtet të pavarur shqiptar. Komiteti i Janinës bëri përpjekje të lidhte një aleancë ushtarake me qeverinë greke, në bazë të së cilës pala shqiptare përkrahte shtetin grek, që të shtrihej në tokat e Tesalisë, Maqedonisë dhe Trakës, ndërsa qeveria e Athinës do të mbështeste formimin e principatës së pavarur shqiptare. Qeveria greke nuk e përkrahu idenë e principatës së pavarur shqiptare.