Në një ditë si sot dhe pikërisht më 14 prill 1945, u pushkatua ministri i Brendshëm i qeverisë së Ismail Qemalit, Fejzi Alizoti.
Fejzi Bej Alizoti lindi në Gjirokastër, më 22 Shtator të vitit 1874, në një familje të fuqishme. Stërgjyshi i tij ishte Alizot Pasha i cili kishte sunduar për një kohë shumë të shkurtër (1787) Vilajetin e Janinës pas vdekjes së Ahmet Kurt Pashës. Babai i tij Hasan Bej Alizoti ishte një bej vendas.
Ai u diplomua në Stamboll për diplomaci, financë dhe administratë. Në administratën e Perandorisë Osmane ushtroi detyrën e zv. guvernatorit në Liban. Shërbeu si kajmekam në Libi, në Anadoll dhe në Prizren. Qe prefekt i Prishtinës gjatë Luftërave Ballkanike dhe vali në Shkup. Një kërkesë e Ismail Qemalit u bë shkak për kthimin në atdhe. Në vijim, u emërua prefekt i Beratit dhe më pas Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë Vlora.
Gjatë periudhës 1916-1918 ishte drejtor i financave për territorin nën administrimin e Austro-Hungarisë, ndërsa në vitet 1927-1940 ishte Ministër i Financave. Në vazhdim shërbeu si deputet i Gjirokastrës, si ministër Shteti (1940) dhe si Guvernator i Kosovës (1940-1942)
U arrestua në nëntor të vitit 1944 bashkë me 16 të tjerë, nën akuzën e “veprave armiqësore dhe antipopullore” dhe më 14 prill 1945, Gjykata e Lartë e dënoi me vdekje, pushkatim.