Nga zbulimet arkeologjike vërtetohet se vendbanimi i Delfit ka ekzistuar 4000 vjet para Krishtit.
Sipas mitologjisë Dia nisi nga dy anë të ndryshme të botës dy shqiponja dhe ato u takuan në Delf dhe kështu u mendua se aty ishte kërthiza e botës.
Prej shumë shekujsh Delfi u bë i njohur sepse aty ndodhej tempulli i famshëm i Apollonit. Deri më sot është pranuar pa asnjë motivim se emri Δελφύς në greqishten e vjetër ka domethënien “μητρα, κοιλια” d.m.th. “mitra; barku”.
Sipas mitologjisë Delfi ishte djali i Poseidonit ose i Apollonit i cili përvetësoi aftësinë e profetizimit duke lexuar shpretkat e shpendëve që ia sillte vëllai i tij Parnasi.
Sipas një tjetër varianti mitologjik, në vendin e quajtur Delfi ishte një gjarpër i madh i quajtur Pithon, të cilin perëndia Apollon e theri dhe u vetdënua duke u kthyer në delfin dhe duke notuar në det udhëhoqi një anije me marinarë nga Kreta, të cilët, te vendi ku u vra Pithoni ndërtuan tempullin e Apollonit.
Ajo që dimë me vërtetësi është se tempulli i Apollonit në Delfi ka funksionuar që nga shekulli i VII para Krishtit dhe deri në shek. e V pas Krishtit dhe në atë tempull shërbenin disa priftëresha. Kryepriftëresha Pitia hipte në një trapezë trekëmbëshe, ku poshtë së cilës digjeshin ca bimë që lëshonin një tym me aromë të veçantë (por mendohet edhe se pikërisht te vendi ku Pitia fliste me zotin kishte një dalje të disa gazrave prej tokës që e eksitonin dhe e bënin të fliste si në kllapi e shpesh edhe e trullosnin) dhe ndërkaq Pitia ngrinte kokën nga qielli dhe fliste me zotin e saj dhe kështu pelegrinët nëpërmjet Pitias merrnin përgjigjet qiellore, që përgjithësisht ishin lakonike dhe jo me një kuptim të vetëm.
Duke qenë se jemi të sigurt vetëm për ekzistencën e tempullit të Delfit, por jo për të dhënat mitologjike, të cilat shpesh janë variante të ndryshme e që përjashtojnë edhe njëra tjetrën, ne mund të bëjmë etimologjinë e emërtimit të Delfit duke u nisur nga funksioni i tij. Në këtë interpretim etimologjik do i referohemi edhe profesores së filozofisë të Universitetit të Athinës, znj. Jola Argjiropoulou, në një studim të saj të vitit 2013 me titull: “Δελφοι – Ο ομφαλός της γης” (“Delfi – kërthiza e botës”), e cila shkruan midis të tjerash për emrin e kryepriftëreshës Pitia si më poshtë: “οι αρχαιοι συνέδεσαν το όνομα Πυθια με το ρήμα πυνθάνομαι (ζητώ να μάθω κάτι”.), që d.m.th: “të lashtët e lidhnin emrin Pitia me foljen pinthanome (që ka kuptimin kërkoj të mësoj diçka)”, porse në shqip, kur kërkojmë të mësojmë diçka, pyesim dhe kjo emërtohet në gegnisht si PYTIA = tosk. pyetja. Ndaj emri PITIA (gr. Πυθια) = PYTHIA lidhet fiks me gegnishten PYT = me PYT = me pyet. Dhe siç e kemi shpjeguar edhe në një tjetër mitologji:
PITIA = PYT TI A = me PYT TI Asht = PYTJA = PYeTJA.
Në këtë studim na intereson më së shumti etimologjia e emrit DELFI.
Duke qenë se Delfi ishte tempulli ku nëpërmjet Pitisë pelegrini fliste me zotin që adhuronte dhe shpesh flinte edhe një natë në tempull, shqipja sipas parimit të anagramës përkthehet si më poshtë:
DELF = FLED = FLET (flet me zotin dhe merr përgjigje nga ai nëpërmjet Pit-isë = PYT-isë).
Duke qenë se praktikohej të flihej një natë në tempull për të krijuar lidhjen me zotin, një nga funksionet e tempullit ishte edhe të flinin pelegrinët, të cilët çonin edhe dhurata në tempull duke paguar shërbimin hyjnor. Ndaj nuk mund të injorohet edhe supozimi i dytë etimologjik:
DELF = FLED = FLE D = FLE nDë = ndë FLE.
Mund të themi se edhe trajta tjetër greke ΔΕΛΦΟΙ (DELFOI) me rotacionin i:j:l, na jep edhe një variant më interesant:
DELFOI = DELFOJ = DELFOL = DEL FOL = del me fol me zotin.
Duhet thënë këtu se kalimi l:j ëxhtë i zakonshëm në të folmen arbërore si te shprehjet “fjamur i arbërit”, “fjasëm arbërisht” etj.
Duke patur parasysh, se pikërisht në vendin ku Pitia bënte liturgjinë dilte një përzjerje gazrash prej nëntokës brenda tempullit, gjasat që në toponimin DELF të kemi të bëjmë edhe me foljen [del] të shqipes, nuk janë të pakta. Pikërisht, një rotacion i f:h (si te [ftoh : ftof; ngrof: ngroh]) mund të na zbuloj karakterin dehës të atyre gazrave që thuhet se eksitonin Pitinë dhe në këtë rast kemi një paralelizëm të hatashëm:
DELFI = DELFY = DELHY = DEL HY.
Pse mund të jetë pikërisht kështu? Të dhënat historike na tregojnë se rituali te Pitia në Delf kryhej vetëm dy herë në muaj, kur hëna ishte e plotë dhe kjo na shpie te mendimi se ato dy dit-netë kur hëna qe e plotë, forca tërheqëse midis tokës dhe hënës është më e madhe e për rjedhojë edhe dalja e gazrave brenda tempullit ishte më e madhe, më e dukshme e më e efektshme për dehjen e Pitisë për tu thënë çudira pelegrinëve.
Paralelizmi në emërtim midis toponimit Delfi (ku del-hyn tymi) me gjitarin e detit delfin (që del-hyn në det) është i dukshëm e duket se ky paralelizëm ka bërë edhe ngatërresën mitologjike që lidhi Delfin me delfinin e që është një homonimizëm gjuhësor. Përfundimisht, interpretimi etimologjik i mitit të Delfit në rastin e parë rezulton të justifikohet si i vërtetuar vetëm nga ana gjuhësore, sepse lidh qëllimin e funksionit të tempullit (Delf = fled = flet) dhe në rasin e dytë lidh natyrën e toponimit me veçoritë kimikofizike dhe emërton pikërisht sipas parimit të karakteristikës kryesore.
Mbetet të themi se mitologjia është një veshje e sajuar e një dukurie a ngjarjeje të pashpjegueshme, ndërsa etimologjia tregon logjikën ekzakte të funksioneve apo karakteristikave themelore në emërtim, të cilat i kanë paraprirë mitit në kohën kur njeriu nuk mund ta shpjegonte me kompetencë botën që e rrethonte me gjithë dukuritë e saj.
Edhe një herë shqipja arrin që me anë të etimologjisë të bëjë skanerin e mitologjisë e të tregojë metamorfozën nga një realitet, në njê magji mitologjike…