Në një ditë si sot dhe pikërisht më 9 prill 1961 në Suresnes, një komunë në periferinë perëndimore të Parisit, ndërroi jetë Ahmet Zogu, i lindur si Ahmet Muhtar Zogolli. Ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë (1922-1924), pastaj si President (1925-1928), dhe më në fund si Mbret i vetëshpallur (1928-1939).
Ahmet Muhtar Zogolli, i biri i Xhemal Pasha Zogut dhe i Sadie Emin bej Toptanit, u lind më 8 tetor 1895. Mentorët e tij të parë qenë Dervish Hima, Sali Torra dhe Hafus Ismeti. Në moshën 7-vjeçare do të largohej nga vendi për të vijuar edukimin në Turqi, ku krahas liceut francez të Stambollit kreu kursin e oficerëve rezervë.
Në atdhe do të kthehej më 20 korrik 1912, në kohë për të kremtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Relativisht herët, do të niste rrugëtimin e tij në politikë në postin e ministrit të Brendshëm.
Më 31 janar 1925, do të shpallej President i Republikës Shqiptare, ndërsa më 1 shtator 1928 do të vetëshpallej Mbret duke drejtuar monarkinë shqiptare.
Me nisjen e pushtimit italian, u shpërngul nga atdheu për t’u vendosur fillimisht në Greqi, prej nga ku do të merrte udhë një kalvar mërgimi me ndalesën e fundme në Francë.
Në vlerësim të kontributit si shtetar, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, u organizua një ceremoni zyrtare për kthimin e eshtrave të tij në atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e familjes mbretërore.
Gjithashtu, në këtë kuadër, u dekorua nga presidenti i Republikës me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.
Në foto Ahmet Zogu 65 vjeç, një vit para se të ndërronte jetë, me bashkëshorten Geraldinë dhe djalin e tyre Lekën 22 vjeçar.