Gian Maria Volonté lindi më një ditë si sot dhe pikërisht më 9 Prill 1933. Ai ishte një aktor dhe aktivist italian, që do kujtohet për shkathtësinë e tij si interpretues dhe prirjet e tij të hapura të krahut të majtë, dhe temperamentin e zjarrtë si në jetë ashtu edhe në film apo teatër.
Volonte ishte një aktivist i fortë politik dhe i njohur për prirjet e tij prokomuniste. Në 1981, ai ndihmoi Oreste Scalzone të arratisej nga arrestimi në Itali drejt Danimarkës.
Ai ishte partneri i aktores italiane Carla Gravina për gati 10 vjet.
Ata u takuan kur luajtën Romeon dhe Zhulietën në një produksion teatror në vitin 1960. Të dy kishin një vajzë Giovanna, e lindur në fillim të viteve 1960.
Aktorja Angelica Ippolito ishte partnetja e tij nga viti 1977 deri në vdekjen e tij në 1994.
Ai është ndoshta më i famshëm jashtë Italisë për rolet e tij në katër filma Spaghetti Western: Ramón Rojo në A Fistful of Dollars (1964) dhe El Indio në For a Few Dollars More (1965) të Sergio Leone, gjithashtu për El Chuncho Munoz në A Bullet for the General të Damiano Damiani (1966) dhe Brad Fletcher në Face to Face (1967) nga Sergio Sollima.
Në Itali dhe në pjesën më të madhe të Evropës, ai u shqua për rolet e tij në drama sociale të profilit të lartë që përshkruanin trazirat politike dhe sociale të shoqërisë italiane dhe evropiane në vitet 1960 dhe 1970, duke përfshirë katër filma të drejtuar nga Elio Petri – A ciascuno il suo (1967), Indagine su un cittadino al di sopra di ogni sospetto (1970), La classe operaia va in paradiso (1971) dhe Todo modo (1976). Ai njihet gjithashtu për interpretimet e tij në Le Cercle Rouge të Jean-Pierre Melville (1970), Sacco & Vanzetti të Giuliano Montaldo (1971) dhe Cristo si è fermato a Eboli të Francesco Rosi (1979).
Volonte fitoi dy çmime David di Donatello dhe tre çmime Nastro d’Argento. Ai fitoi çmimin e aktorit më të mirë në Festivalin e 36-të të Filmit në Kanë për filmin “La mort de Mario Ricci” (1983) dhe Ariun e Argjendtë në Festivalin e 37-të Ndërkombëtar të Filmit në Berlin për “Il caso Moro” (1986). Regjisori Francisco Rosi tha se ai “vidhte shpirtin e personazheve të tij”.
Volonte vdiq nga një atak kardiak në moshën 61-vjeçare në 6 Dhjetor 1994 në Follorinë, Greqi, gjatë xhirimeve të filmit “Ulysses’ Gaze”, me regji nga Theo Angelopoulos.
Varri i Gian Maria Volonte është në një varrezë të vogël në ishullin La Maddalena të Sardenjës, sipas dëshirës së tij.