Margarita Xhepa u lind më 2 prill të vitit 1932 në Lushnje. Ajo njihet si një nga Zonjat e Mëdha të Teatrit Shqiptar. Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës.
Margarita Xhepa është një nga ato aktore, ndoshta të rralla në historinë e aktrimit shqiptar, që rrezaton në tërë qenien e saj shumë dritë. Eshtë një dritë e brendshme, pjesë e pandarë e portretit, gjestikulacionit dhe të folurit. Nga ana tjetër në portretin e saj ka shumë mirësi, butësi si dhe bukuri e hijeshi prej aristokrateje. Gjatë gjithë karrierës, mënyra e saj e artikulimit të fjalëve dhe shkëlqimi i syve, që shfaqnin një botë shpritërore të jashtëzakonshme, ishin dy cilësi që e shoqëruan aktoren në çdo moment, duke e ndihmuar drejt suksesit, i cili gjithsesi nuk ishte aspak i rastësishëm. Pas tij fshihet puna e një gruaje artiste, e një nëne aktore dhe e një njeriu shumë punëtor dhe kërkues.
E cilësuar dhe si një nga femrat më të bukura shqiptare, portreti i saj dhe sot pas 9 dekadash vazhdon të jetë i tillë. Duket sikur koha nuk i ka dëmtuar asgjë, vazhdon të jetë e bukur, fisnike dhe plot pasion për profesionin e saj.
Ka krijuar mbi 150 role në teatër nga viti 1950 pranë Teatrit Popullor. Në vitin 1952 fillon punë në Estradën e Shtetit, dhe që nga viti 1957, rikthehet në Teatrin Kombëtar për të mos u larguar më prej tij. Roli i parë i saj ishte tek “Orët e Kremlinit”, ndërsa rolet në të cilat shkëlqeu ishin Ofelia në tragjedinë “Hamleti” dhe Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë”. Më pas ajo ka interpretuar në pothuajse në të gjitha pjesët e suksesit të këtij teatri, si “Mbreti Lir”, “Morali i zonjës Dulska”, “Aurturo Ui”, “Rikardi i III”,”Luiza Miler”, “Vizita e Inspektorit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Trojanet”, “Elektra”, etj.
Tepër e gjatë është lista e interpretimeve edhe në kinema ku numëron mbi 30 role në ekranin e madh. Për vite me radhë ka qenë një nga aktoret më të preferuar të regjisorëve, për origjinalitetin, natyrshëmrinë, talentin dhe paraqitjen e jashtme, të cilat ishin tipare lehtë të evidentueshme të aktores. “Tokë e përgjakur”, “Pylli i lirisë”, “Gjeneral gramafoni”, “Koncert në vitin 1936”, “Apasionata”, “Dora e ngrohtë”, “Dimri i fundit”, “Një djalë dhe një vajzë”, “I dashur armik”, janë vetëm disa nga titujt ku ka interpretuar dhe shkëlqyer aktorja e madhe.
Margarita Xhepa mban titullin “Artiste e popullit” dhe jeton në Tiranë. Njëri nga djemtë e saj është aktori i njohur i teatrit dhe filmit Ndriçim Xhepa, me të cilin aktorja ka interpretuar edhe disa role.
Çmimi i fundit “Aktori i Europës 2021”, për rolin e Zonjës Mëmë në shfaqjen “Kush e solli Doruntinën” me dramatizim dhe regji nga Laert Vasili është një çmim i lartë ndërkombëtar dhe mjaft vlerësues për aktoren që nuk njeh moshë.