Nevruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa ”Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Diktatura komuniste në Shqipëri, e prirur drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian.
Në Shqipëri Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas sunitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.
Një pjatë tipike e kësaj dite është byreku me jeshillëqe! Meqenëse festa përkon me ardhjen e pranverës, byreku bëhet me lakrat e egra që ofron. Bektashinjtë hanë shumë mish prandaj edhe në festën e tyre bëjnë kurban. Orizi përdoret gjithashtu për të treguar bollëk, kjo është arsyeja pse është gatuar syltjashi ose kabunia.