Në një ditë si sot, 115 vjet më parë dhe pikërisht më 18 mars 1908 u zhvillua një nga betejat më të rëndësishme të çetës së komanduar nga Çerçiz Topulli, kundër ushtrisë osmane. Pas vrasjes së komandantit të xhandarmërisë së Gjirokastrës, forca të shumta osmane, të dërguara nga valiu i Janinës për të ndjekur çetën shqiptare, e rrethuan këtë të fundit në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës ku u zhvillua një betejë e pabarabartë dhe e ashpër. Një grup luftëtarësh të çetës u bënë ballë gjatë një ditë të tërë sulmeve të pareshtura të forcave osmane dhe në të ngrysur mundën ta çanin rrethimin. Nga luftëtarët e çetës mbeti i vrarë Hajredin Tremishti, kurse ushtria osmane humbi 20 veta. Beteja e Mashkullores u përjetësua në këngë popullore.
Në foton e mësipërme shihet çeta e Çerçiz Topullit.