VICTOR HUGO & ALI PASHA i JANINËS

Sot është 221 vjetori i lindjes së Victor Hugo, një nga kolosët e mendimit, letërsisë dhe kulturës evropiane. 

Viktor Hygo, shkrimtari i madh romantik francez  i konsideruar dhe si “ndërgjegjia e gjallë” e Francës, në fillimet e tij poetike përjetoi tërheqjen nga orienti duke shkruar vëllimin poetik “Orientalet” në moshën 27 vjeçare dhe e botoi në shkurt 1829. 

Kjo lloj përqasje e tij ishte në frymën e kohës dhe qe nxitur shumë nga leximet e librave të Pouqeuville, konsullit francez pranë Ali Pashës në Janinë dhe të shkrimet e alzasianit Adolphe Cerfbeer, i mbiquajtur Ibrahim Manzour, komandant në shërbim të vezirit, që e paraqiste të nxirrë figurën kontradiktore të pashait. Që në parathënien e veprës së vet Hygo, jep mendimin dhe gjykimin për figurën e Ali Pashë Tepelenës, të cilin e krahason me Napoelon Bonapartin. 

“Barbaria e vjetër aziatike, ndoshta nuk është aq e zhveshur nga njerëz të mëdhenj sa ç’pandeh qytetërimi ynë. Duhet rikujtuar se ajo prodhoi të vetmin kolos që ky shekull arriti ta vërë ballëpërballë Bonapartit… atë njeri gjeni, turk e tartar në të vërtetë, atë Ali-Pasha, që është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën”. 

Figura e Ali Pashës u portretizua si despot oriental, gjakpirës e të pabesë, cinik e epshor duke e parë si një shtypës dhe një zotërues të territoreve të shumta. 

Por Hygo e adhuronte Ali Pashën dhe admironte lojën e tij diplomatike dhe karakterin e veçantë që i kishin dhënë një famë të madhe në Europë. Shumica e udhëtarëve, që vizituan Pashallëkun e Janinës dhe lanë vepra të shkruara për kontaktet e tyre me Ali Pashën, pohojnë se paraardhësit e Ali Pashës ishin feudalë vendas të krishterë, që ishin konvertuar në Islam, ashtu si kishin bërë shumë të tjerë që i përkisnin asaj klase feudale.

Poezia e mëposhtëme është frymëzuar nga një pasazh i librit të kujtimeve të Ibrahim Manzurit, me dervishin mistik që rrinte jashtë Janinës dhe që pashai Tepelenas e nderonte shumë duke i toleruar çdo qortim apo fyerje. Vetë Ali Pasha duket se ishte bektashi, por nga fundi i jetës së tij ai shpalli kalimin e tij në fenë e krishterë një tentativë e dëshpëruar për të fituar simpatinë e revolucionarëve grekë.Ky veprim nxjerr në pah jo vetëm karakterin jo besimtar të Aliut, por dhe nuhatjen e hollë politike të tij porsa i përket marrëdhënieve të tij politike me Fuqitë e Mëdha dhe atyre kulturore me Evropën. 

                           Victor Hugo (1802-1885)

Në ballë të  grupit të vogël e të rreptë të arnautëve,

Shkonte Aliu Pashai me ballin nëpër re,

Gjithë populli përqark nderonte i tmerruar,

Përgjunjur dhe kryet përkulur gjer në dhe.

Befas u ndje nga turma: “Më prit, Ali Pasha!”

Një dervish mjekërbardhë, sy të pafrikë te balli

Përpara i doli të ashprit Ali Pashë Arnautit

Dhe kalin pullali ia mbërtheu për kapistalli.

“S’ta kam frikën as ty, as të ndyrës thikës tënde

O shënjti i shejtanit, tiran, mizor e qen,

Para këtyre t’trëmburve e trimave tuaj të çartur

Vdes sot, por kush je ti, jam unë që do ta them!

Pallatin e ke ngritur mbi eshtra e xhenaze

Me atë dorë gjakatare, kushdi se sa ke vrarë!

Një populli i ke vën’ thikën, por s’e di, or lugat,

Se këtu pranë të është hapur e po të pret një varr.

Njerëzve shpata jote u shkon si kosë mbi bar…

Por shpirti do të dalë ndër çengela zinxhirësh,

Me dorë të vet Allahu do të të varë, o kusar,

Mu në pemë të segjinit plot me shpirtra qafirësh…

As paratë, as dredhitë, intrigat as kalatë,

Asgjë, o shpirtkatran nuk do të bëjë derman,

Për jetë fantazma jote do të tmerrojë dynjanë,

Jot ëmë përse të lindi shtatë herë është bërë pishman.

Çifut e faqezi, nxirre thikën nga mylli.

Në gjoks ma ngul, s’ta kam frikë me sua e xhins,

Kur shpirti të më dalë, mu në grahmë të fundit,

Një pështymë do të hedh në surrat, o përbindësh.

“A ke më për të sharë, dervish?” – pyeti Pashai

“S’kam më! Ja gjoksi im! Ngule thikën, shëmtirë!”

Aliu ra thellë në të thella… buzëqeshi… dhe dervishit

I dhuroi qyrkun e vet stolisur në xhevahirë

Dhe i tha lamtumirë.

(Përshtatur në gjuhën shqipe nga Riza Lahi, 2013)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here