Nga EVANTHI PANGO
…Rrak Tak Tak Tak, Rrak Tak Tak Tak Tak…ndihen shtypjet në makinën e shkrimit (me një ndjesi më të fortë se ajo e tastierës së kompjuterit ditët e sotme), ku çdo gërmë ka një peshë të veçantë.
“Po ky ç’ Profesionist do jetë?” mendoja me vete, “shkrimtar, këngëtar, inxhinier..ku di unë profesionist i çfarëdo lloj profesioni”, ndërkohë që mbi skenë në atë moment ndodhej Astrit Hasani, një aktor profesionist, me karrierë të pasur, relativisht i vjetër për brezin tim.
Në fakt “Profesionisti” do të ishte ai që vinte më pas, aktori Viktor Zhusti, i veshur nën petkun e një personazhi, që ndërkohë që do të duhej të na dukej negativ, si përfaqësues i “Botës së errët”, e zotëron dhe e sjell personazhin me nota energjie të pashtershme, humori të hollë e fin, dhe tek tuk me ngjyrime heroike.
Kisha dëgjuar për historira me shërbime sekrete me agjentë a ku di unë, edhe këtu në vendin tonë ku spiunazhi u fut deri në nivelin e qelizës familjare, por me të dëgjuar e kisha. Kur e shihje të sjellë në skenë nga Viktor Zhusti, pensionist në rol, por çuditërisht edhe pse sa ishte futur në moshën e katërt (siç thonte vetë ai me ironi) nuk dukej fare pensionist për nga energjia që përcillte.
“ Epo çudi e madhe, mendova me vete, se do më dukej ndonjëherë interesant një operativ i shërbimeve sekrete, këtë vetëm Viktori mund ta bëjë, sidomos me jelekun e leshit që mbante për të brendshme, e me pistoletën e vënë krahqafë që s’e lëshonte…edhe pse në pension.
“Po mirë”, pyeta regjisorin Leka Bungo, “pse vutë në skenë një vepër të autorit serb Dushan Kovaçeviç, dhe jo të një autori shqiptar për shembull?”
“ Vendet e Bllokut lindor kishin të njëjtin sistem, por arsyeja se pse e vendosa këtë vepër në fakt, është sepse tregon gjendjen e personazheve, në kapërcyell të ndërrimit të sistemit, kjo vepër në fakt, i prek të dy sistemet, të dy periudhat.”- tha ai.
Dhe në fakt, Kovaçeviç e pati shkruar pikërisht atëherë, në 1990…e Timo Flloko do të na e përkthente mjeshtërisht në shqip, për ta parë të vënë në skenë me një realizëm therës nga Leka Bungo..
Dhe unë… megjithëse atëherë nuk kisha lindur ende, shoh mbi skenë, sot në 2023, “Profesionistët” e një brezi “në ikje”…por që do të doja të rrinin edhe ca!
Informacion: Në rolet e tjera paraqiten denjësisht aktorët e Teatrit “Petro Marko”, Vlorë, Matilda Avdyli dhe Artan Islami. Skenografia dhe Kostumet nga Drini Shehu. ndërsa Muzika nga Artur Dhamo.
Veprat e Dushan Kovaçeviç janë përkthyer në 17 gjuhë pas viteve 1990.