Në një ditë si sot, më 30 janar 1897, u themelua shtypshkronja “Mbrothësia”, në Sofje (Bullgari) me nismën dhe përpjekjet e shumta të shoqërisë «Dëshira”.
Farkëtuesi i kësaj shtypshkronje, pjesë e Shoqërisë “Drita”, ishte Kristo P. Luarasi. “Mbrothësia” kishte për qëllim shtypjen e çfarëdo materiali propagandistik në dobi të çështjes shqiptare.
Në fillim u drejtua nga Kristo Luarasi dhe Kostë Jani Trebicka. Luajti rol të rëndësishëm në lëvizjen kulturore të periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare. Aty u botuan e u ribotuan vepra letrare, libra shkollorë dhe organe si «Ditërrëfenjësi shqip» (Kalendari Kombëtar), «Drita» dhe «Liri e Shqipërisë». Me zgjerimin e veprimtarisë, ajo u bë në të vërtetë e para shtëpi botuese shqiptare, e cila brenda periudhës 1897-1915 botoi dhe ribotoi 115 tituj, që prej «Kalendarit», abetareve, librave shkollorë e gjer tek vepra nga më të shquarat të letërsisë së Rilindjes, si të Naim Frashërit, Sami Frashërit, Papa Kristo-Negovanit, Spiro Dines, Mihal Gramenos etj. Vite më vonë, i ndodhur në pamundësi ekonomike për të përballuar kostot e rinovimit të shtypshkronjës, Kristo P. Luarasi kërkon ndihmë monetare nga cilido mëmëdhetar. Teksa, deri atë çast, librat e shtypur nga “Mbrothësia” qenë shpërndarë falas. Më 1921 shtypshkronja dhe Shtëpia botuese «Mbrothësia» u shpërngul dhe nisi të veprojë në Tiranë.