PËRKUJTIMORE: 50 Vjetori i Festivalit XI në RTSH

50 vjet më parë, më 22 dhjetor 1972, u zhvillua Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizion.

Për tri mbrëmje radhazi (22-25 dhjetor), publiku shqiptar përjetoi ethet e një ere të re muzikore. Repertori i këtij festivali qe një thagmë. Për herë të parë, u luajtën këngë të gëzimit të përditshëm, për dashurinë dhe për ndryshimet sociale, duke dalë përtej kornizës socialiste uniformizuese. Kënga që u kurorëzua me trofe titullohej “Kur vjen Pranvera”, e kënduar nga Tonin Tërshana, e kompozuar nga Pjetër Gaçi dhe me tekst të Fatos Arapit.

Në mënyrë të padyshimtë, Festiviali i 11-të përfaqëson edicionin muzikor më të komentuar në Shqipëri, për nga zemërata që shkaktoi në radhët e udhëheqjes së regjimit komunist. “Veshje dhe shfaqje të huaja”, “Me imitime dekadente”, “shfaqje disidente” etj, ishin vetëm disa prej frazave denoncuese, që arsyetuan ndërmarrjen e ndëshkimeve për organizatorët dhe pjesëmarrësit.

Natën finale, gjatë votimit të fundit, në vend të parë ishte kënga “Udhët janë të bukura” (“Kafe Flora”), interpretuar nga Lindita Sota – Theodhori, kompozuar nga Agim Krajka me tekst nga Agim Shehu por juria e fundit e Tiranës e përmbysi rezultatin duke nxjerrë në vend të parë këngën “Kur vjen pranvera”.

Në dimrin komunist të viteve ’72 besohej për një “pranverë” në jetën e shoqërisë shqiptare. Nuk është aspak e rastit përse fitoi kjo këngë: anëtarë të jurisë së kryeqytetit ishin studentet e vitit të fundit të inxhinierisë elektrike.

Në këtë festival këngët për herë të parë u kënduan vetëm nga një këngëtar duke marrë shembull nga festivali i Sanremos që, pikërisht në shkurt të atij viti (24-26.2.1972), filloi të mos i përsëriste këngët me interpretues të tjerë. Meqë këngët nuk përsëriteshin, ato ishin më të gjata në ekzekutim, sidomos me intervalet orkestrale. Orkestra me drejtimin brilant nga Gaspar Çurçia kishte më shumë tingëllim frymor e ritmik.  Gjithashtu u dha vetëm një çmim i parë, një i dytë dhe një i tretë. Ishte festivali i vetëm ku votonin juritë e gjithë qyteteve kryesore.

Ky festival u dënua nga udhëheqja e asokohëshme gjatë Pleniumit të 4-t dhe u ndaluan të gjitha këngët e tij festivali si një dukuri që përhapte kulturën borgjeze perëndimore, dicka e shpallur në kundërshtim me parimet shtetërore dhe shumë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit u dënuan me burgime të gjata.

Drejtori i festivalit, Mihal Luarasi, u dënua me 8 vite burg. Po ashtu pas hekurave përfundoi edhe këngëtari Sherif Merdani. U pushua nga puna prezantuesja e Festivalit, Edi Luarasi, një aktore e mirënjohur. Bashkëprezantuesi i saj, Bujar Kapexhiu, u dërgua në një kamp pune të detyruar. Todi Lubonja, drejtori i RTSH-së, u burgos. Nuk u lejuan të këndojnë më Justina Aliaj, kantautori Françesk Radi, Dorian Nini etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here