Samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor do të mbahet në Tiranë të martën, megjithatë Policia e Shtetit ka vendosur që të bllokojë 17 akse rrugore me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë që të hënën. Bllokimi i rrugëve nis me 5 akset rrugore nga Aeroporti i Rinasit, Qafë-Kashar, ish-Sheshi Shqiponja, Unaza e Madhe, Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.
12 rrugë të tjera do të jenë në afërsi të qendrës së kryeqytetit, në perimetrin e sigurisë të vendosur nga autoritetet. Në këto rrugë është kërkuar nga policia që të hiqen automjetet e parkuara.
Të gjitha rrugët që përbëjnë perimetrin e sigurisë në 6 dhjetor, lëvizin në këmbë vetëm banorët
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium; Rruga “Dervish Hima”; Rruga “Asim Zeneli”; Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.= Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.
Rrugët ku ndalohet lëvizja me makina
Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor; Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti” deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”. Ndalohet lëvizja me automjete të tonazhit të rëndë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.
Hyrja e punonjësve dhe studentëve
Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Gërmenji”;
– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;
– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;
– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;
– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Frederik Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;
Duke qenë se e marta do të jetë ditë e zakonshme për qytetarët, për banorët rezidentë, punonjësit e institucioneve, apo gazetarët që do ndjekin punimet e samitit, janë përcaktuar 6 rrugë ku do të kalohet vetëm në këmbë. Ata do të lejohen të kalojnë vetëm me dokumentin e punës dhe kartën e identitetit, ndërsa rezidentët do të shoqërohen deri në banesë edhe nga forcat e policisë.
Gjithashtu kufizime të tjera të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”. Ky kufizim bëhet për shkak të delegacioneve që do mbërrijnë nga pika kufitare e Hanit të Hotit dhe të Morinës.
Për mbajtjen e samitit Policia e Shtetit ka në gatishmëri më shumë se 1500 forca policie, të të gjitha strukturave të kupolës blu përfshirë këtu në maksimum kapacitet njerëzore dhe logjistike.