17 nëntor 1944 – Çlirimi i Tiranës

Agimi i 17 Nëntorit 1944 në Tiranë

Tablo punuar nga piktori B. Sejdini më 1957

Forcat e Brigadave që luftonin në kryeqytet i vazhduan pandërprerë sulmet e tyre për asgjësimin e armikut të rrethuar dhe në mëngjesin e 16 nëntorit u hodhën në sulmin përfundimtar për çlirimin e Tiranës. Si rrjedhojë forcat e Brigadës 1 pushtuan Shtëpinë e Oficerëve, Sahatin, Teatrin, etj.

Forcat e Brigadës VIII përparuan në Rrugën e Kavajës dhe u bashkuan me krahun e djathtë të Brigadës I, duke e ngushtuar edhe më shumë unazën e rrethimit të armikut në qendër të kryeqytetit. 

Armiku qëndronte me egërsi në ndërtesat e Ministrive, të Bankës, të Bashkisë dhe tek hotel «London» (sot Muzeu Historik Kombëtar). Luftimet vijuan shumë të ashpra gjatë gjithë ditës. Natën, duke u gdhirë 17 nëntori, komanda gjermane nuk shikonte asnjë mundësi shpëtimi. Ndërkohë që ishin krijuar të gjitha kushtet për të asgjësuar ose për të kapur rob këto forca, gjermanët, duke përfituar nga errësira e natës, dolën nga rrethimi dhe u grumbulluan në fushën e Aviacionit. Që këtej, pasi u organizuan për marshim, lë­vizën drejt Vorës për në Shkodër. Forcat e fundit gjermane që u tërhoqën nga Tirana u goditën në rrugën Tiranë – Vorë – Laç.

Në mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, pas 19 ditë e netë lufte të ashpër e të pandërprerë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u çlirua. Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të UNÇSH-së për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ai ishte vijimi dhe kulmi i mësymjes së përgjithshme.

Çliri­mi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake. Ai kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare; i shkak­toi humbje të mëdha, e vonoi tërheqjen e forcave gjermane. Njësitë e Korparmatës 1 realizuan me sukses detyrën që u ngarkoi Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH. 

Lufta për çlirimin e Tiranës ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga UNÇSH. 

  • Hapësira e operacionit – 4000 km2
  • Kohëzgjatja – 2 muaj, 19 ditë radhazi për çlirimin e kryeqytetit.
  • Të rënë – 127 veta
  • Të plagosur – 290 veta
  • Humbjet e armikut
  • 3000 të vrarë dhe shumë të plagosur,
  • 300 robër,
  • 25 topa,
  • 4 tanke,
  • 100 mitralozë,
  • 200 automjete,
  • 250 karro me materiale të ndryshme, etj.

Armiku nuk zbatoi dot planin e tij për shkatërrimin e Tiranës. Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e popullit, nga të moshuarit e deri te fëmijët, ishte e ma­dhe, në forma e mënyra të ndryshme. Për realizimin e drejtimit të operacio­nit, përdorim të gjerë gjeti ndërlidhja me radio, si dhe mënyrat e tjera, si takimet me shtabet vartëse, me lajmëtarë etj. Nëpërmjet kësaj veprim­tarie drejtuese u arrit që të ndihmohen drejtpërdrejt e në kohë shtabet e instancave vartëse, të cilat morën dhe zbatuan masa të efektshme, veça­nërisht për njohjen e armikut, organizimin e luftimit, manovrimin e for­cave, drejtimin e tyre etj. Në mënyrë krijuese u zbatua parimi i manovrimit dhe i përqendri­mit të forcave që erdhi duke u rritur shkallë – shkallë, të cilat në fazën përfundimtare arritën në 11 brigada, çka siguroi vijimësinë e pandërpre­rë të operacionit deri në fitore. U përcaktuan me saktësi sektorët dhe pikat më nevralgjike të sistemit të mbrojtjes armike, nga asgjësimi i të cilave u bë e mundur fitorja e betejës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here