NËNTORI I SHENJTORËVE
E hënë, 1 nëntor:
“Tani ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij.
Perëndia ka caktuar në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj ata që bëjnë mrekulli, pastaj ata që kanë dhunti për të shëruar, për të ndihmuar, për të qeverisur, ata që flasin lloje të ndryshme gjuhësh.
Mos janë të gjithë apostuj? Mos janë të gjithë profetë? Mos janë të gjithë mësues? Mos vallë të gjithë bëjnë mrekulli?
Mos kanë të gjithë dhunti shërimi? Mos flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? Mos janë të gjithë interpretues?
Por kërkoni me zell dhuntitë më të mëdha. Dhe unë do t’ju tregoj një rrugë edhe më të përkryer.
Edhe sikur të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kisha dashuri, atëherë do të isha kthyer në një bronz që kumbon ose në një dajre që tingëllon.
Po të kisha dhunti për profeci dhe t’i dija të gjitha misteret dhe gjithë diturinë dhe po të kisha besim të madh sa të lëvizja malet, por të mos kisha dashuri, atëherë do të isha një hiç.
Edhe po t’ua ndaja të gjitha pasuritë e mia të varfërve dhe po ta jepja trupin tim që të digjej, por të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë.
Dashuria është e durueshme, dashuria është plot mirësi. Ajo nuk njeh smirë; dashuria nuk mburret, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon dobinë e vet, nuk zemërohet, nuk e mendon të keqen që i kanë bërë, nuk gëzohet me padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën; ajo duron gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, këmbëngul në gjithçka.
Dashuria nuk bie kurrë; por nëse ka profeci, ato do të zhvlerësohen; nëse ka gjuhë, ato do të pushojnë; nëse ka dituri, do t’i humbë vlera.”
Mjekët anargjendë Kozma dhe Damian, Oshënar Jakobi i Kosturit, etj.
LEXIMET NGA DHIATA E RE
1 Korintasve 12: 27-13: 8