Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një takim me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Pragë.
Gjatë takimit, të dy liderët shkëmbyen mendime për të gjithë gamën e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet rajonale dhe konfirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Kyriakos Mitsotakis nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për rrugën europiane të Shqipërisë, në përputhje me termat dhe kushtet e vendosura nga Këshilli Europian.
U diskutuan edhe efektet e krizës së Ukrainës në Ballkanin Perëndimor dhe nevoja për të ruajtur stabilitetin dhe për të forcuar sigurinë energjetike të rajonit.
Kryeministri grek nënvizoi interesin e vazhdueshëm të Athinës për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke në Shqipëri, me theks të veçantë në sigurimin e të drejtave të tyre pronësore.
Ai iu referua edhe përkufizimit të zonave detare të dy vendeve dhe theksoi se dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, siç është rënë dakord, do të forcojë më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë.
U diskutuan edhe çështje me interes të përbashkët rajonal, me theks në bashkëpunimin energjetik dhe infrastrukturat që rrisin ndërlidhjen në Gadishullin Ballkanik.