Policia holandeze ka penguar marrjen peng të ministrit belg të Drejtësisë Vincent Van Quickenborne, duke arrestuar 4 persona si të dyshuar. Për këtë ngjarje akuzohen Ndrangheta dhe mafia shqiptare, pasi të arrestuarit dyshohen si të lidhur me mafien e trafikut të drogës në Evropën Veriore.
Mediat e huaja raportojnë se komploti i dështuar i rrëmbimit u zbulua pothuajse rastësisht nga policia holandeze, e cila të enjten e kaluar identifikoi një makinë me targa holandeze të parkuar jashtë shtëpisë së ministrit belg, brenda së cilës u gjetën: një pushkë dhe shirit ngjitës, ndërsa në një makinë tjetër, janë gjetur disa shishe benzinë.
Falë dy makinave, hetuesit gjurmuan dhe arrestuan katër persona të moshës 20 deri në 48 vjeç në Holandë, të gjithë autorë të dyshuar të rrëmbimit të dështuar dhe, të gjithë të dyshuar si trafikantë droge.
Vetë ministri Vincent Van Quickenborne në një video-mesazh të transmetuar nga radiotelevizioni belg RTBF ka komentuar ngjarjen duke folur për “mafien e drogës”.
“Për momentin do të jem nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe nuk do të mund të marr pjesë në disa aktivitete të planifikuara në ditët në vijim. Nuk është e këndshme, por është e kuptueshme,” tha Quickenborne.
“Më lejoni të jem i qartë! Njerëzit pas gjithë kësaj po marrin të kundërtën e asaj që synonin. Kjo më forcon besimin se ne duhet të vazhdojmë të luftojmë”, vazhdon ai. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë krimin e organizuar, me më shumë njerëz dhe forca se më parë. Në shtetin tonë demokratik të së drejtës, ne kurrë nuk do të përkulemi para dhunës. Kurrë!”.
Fjalëve të Quickenborne iu bashkuan edhe ato të kryeministrit belg Alexander De Croo, i cili nga profili i tij në Twitter flet për një kërcënim “plotësisht të papranueshëm”.
“Prania e mafies në aksin Amsterdam-Bruksel bëhet gjithnjë e më evidente dhe me rrëmbimin e dështuar të ministrit belg bëhet më e rrezikshme dhe e pacipë”.
Prej disa vitesh, Belgjika, e mbështetur nga Holanda fqinje dhe porti i Antwerpen-it, është kthyer në një nga rrugët më të rëndësishme të aksesit përmes së cilës droga mund të hyjë në Evropë.
Në fakt, sipas të dhënave të publikuara nga raporti i Europolit “Cocaine Insight”, në portin e Antwerp-it, vitin e kaluar u sekuestruan 66 ton kokainë, krahasuar me pesë në vitin 2013.
Një rritje e vazhdueshme, e favorizuar nga konsolidimi i aktiviteteve kriminale të kryera si nga Ndrangheta ashtu edhe nga mafia shqiptare, të dyja me rrënjë gjithnjë e më shumë në territorin belg dhe përgjegjëse për rritjen e vrasjeve dhe episodeve të korrupsionit në polici. Kjo ka bërë që disa media të huaja të aludojnë për përfshirjen e shqiptarëve në bashkëpunim me mafiozët italianë në këtë pengmarrje të dështuar.