Ai u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia, krahas shumë trajnimeve të tjera me agjencitë aleate të sigurisë, dhe në punën e tij ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ka udhëhequr operacione të suksesshme, raportonte dikur VOA.
Kur Gledis Nano erdhi në detyrë, u mbiquajt “njeriu i FBI-së” për shkak të trajnimeve dhe mbështetjes nga ambasada amerikane. Po sot? Duket se konsiderata pozitive dhe mbështetja ndaj tij vazhdon edhe pas shkarkimit.
Ambasada amerikane në Tiranë shprehu vlerësimin për zotin Gledis Nano, i cili, siç thuhet në një postim në rrjetin Twitter, “ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”.
Qeveria Rama shkarkoi sot drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano, për rezultate të pamjaftueshme në detyrë.
Vendimi i qeverisë, sipas ministrit të punëve të brendshme, Blendi Çuçi, lidhet me mospërmbushjen e objektivave, që kishin vënë me drejtorin e përgjithshëm të policisë.
Ministri Çuçi tha për mediat se shkarkimi lidhet dhe me situatën e krijuar muajt e fundit, e cila, sipas tij, “kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit”.
Dy ditë më parë në qarqet mediatike të Tiranës u përhap një njoftim se zoti Nano kishte dhënë dorëheqjen, por ai e hodhi poshtë këtë si të pavërtetë.
Qeveria emëroi Gledis Nano në tetorin e vitit të kaluar si drejtor të policisë së shtetit, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Ardi Veliu.
Zoti Nano kishte një karrierë mbi 20-vjeçare në polici dhe 5 vitet e fundit ishte drejtor i drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit.
Kriminaliteti gjatë sezonit turistik dhe disa krime të rënda javët e fundit nga grupet e krimit të organizuar përkeqësuan gjendjen e rendit dhe sigurisë në Shqipëri.