‘Dosja’ zbulon nga burime koefidencale se është larguar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Nano largohet nga detyra në kulmin e një vale ngjarjesh të rënda kriminale që kanë ndodhur përgjatë kësaj vere në Shqipëri.
Tiranë: Gledis Nano është larguar nga detyra. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i emëruar me bujë vjeshtën e vitit të shkuar ka dhënë dorëheqjen nga detyra në kulmin e zhvillimeve kriminale në Shqipëri. Pa mbushur një vit, Nano është larguar ndërsa ngjarja më e rëndë, ajo e zhdukjes së Ervis Martinajt nuk është zbardhur. Ngjarjet kriminale dhe situata ku ndodhet Policia e Shtetit janë arsyet kryesore të largimit të Nanos ndërsa siç bëjnë me dije burime koefidenciale për Dosja.al, gati është edhe zëvendësuesi i tij.
Nano i ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarizimi i largimit nga detyra do të bëhet pasnesër (ditë e mërkurë) në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku do të jepet edhe emri i drejtorit të ri.
Gledis Nano mori drejtimin e Policisë së Shtetit në tetor të 2021-ës pas problemeve që i paraprinë Ardi Veliut në drejtimin dhe menaxhimin e trupës policore. Nano më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Anti-Terrorit dhe spikati me operacionin për evakuiimin e shqiptarëve që ndodheshin në kampin Al-Hol në Siri. DOSJA.AL