Podgoricë
Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi votuan pas mesnate mosbesimin për qeverinë e kryeministrit Dritan Abazoviç, raporton Anadolu Agency (AA).
Në votim morën pjesë 51 deputetë. Për mosbesimin e qeverisë votuan 50 anëtarë të parlamentit, nga partitë DPS, SDP, SD, Partia Liberale, Partia Boshnjake, DUA, “Prava Crna Gora” dhe Demokratët, ndërsa një deputet ishte kundër.
Para votimit, deputetët e Frontit Demokratik (DF), Lëvizjes për Ndryshim (PzP), Partisë Popullore Socialiste (PKS), Demos dhe Lëvizjes Qytetare URA u larguan nga salla plenare.
Kjo është hera e dytë që Qeverisë së Malit të Zi i votohet mosbesimi në një periudhë të shkurtër kohore. Më parë, qeveria e 42-të e Malit të Zi u shkarkua nga kuvendi më 4 shkurt.
Danijel Zhivkoviç, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) si propozuese e mocionit, në fillim të diskutimit deklaroi se qeveria e kryeministrit Dritan Abazoviq humbi mbështetjen për shkak të braktisjes së agjendës evropiane. Ai tha se u humb shansi për të shfrytëzuar mbështetjen në parlament dhe për të zhbllokuar institucionet dhe, me ndihmën e partnerëve, për ta bërë Malin e Zi të aftë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian (BE) deri në vitin 2025.
Ndërkaq, Abazoviç tha se zgjedhjet duhet të mbahen herët a vonë. Ai përsëriti se iniciativa për shkarkimin e tij u dorëzua për shkak se qeveria e tij nënshkroi marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe.