Aktori do të luajë në ‘La Favorite’ dhe do të jetë filmi i parë në të cilin ai do të flasë frëngjisht.
Gjithçka është gati për rikthimin e madh të Johnny Depp në kinema, pas mosmarrëveshjes ligjore me ish-bashkëshorten e tij, Amber Heard që pushtoi mediat në mbarë botën.
Padia për shpifje kundër saj e ka shfajësuar yllin e Hollivudit, me rezultat që Heard aktualisht i detyrohet atij disa milionë dollarë dëmshpërblim, të cilat avokatët e saj pretenduan se ajo nuk është në gjendje t’i shlyejë.
Ai mund të ketë dalë fitimtar nga sallat e gjyqit, por gjatë gjithë kësaj kohe karriera e tij si aktor kaloi shumë ulje-ngritje, pasi projektet që kishte u lanë në pritje deri në shpalljen e vendimit të gjykatës.
Megjithatë, Depp është gati për hapin e radhës dhe në një rol që fansat e tij nuk janë mësuar. Depp do të luajë në një film të prodhimit francez, “La Favorite”, për të dashurën e fundit të mbretit Ludovik XV, të cilin ajo do ta luajë.
Kompania publike franceze e prodhimit të filmit Why Not Productions dhe Televizioni Francez kanë publikuar foton e parë në rrjetet sociale të Johnny Depp në rolin e tij të ri si ‘Mbreti Luigj’, i transformuar plotësisht për hir të rolit.
Filmi historik “La Favorite” përqendrohet në historinë e Madame du Barry, dashnores së fundit të Mbretit të Francës, e cila, ndonëse e lindur e varfër, arriti të ngjitej në rangun e lartë duke përdorur inteligjencën e saj për t’u bërë shoqëruesja e preferuar e Luigjit XV. Me regji të M. Le Besco, filmi pritet të ketë premierë në kinematë franceze në vitin 2023.