Ministria e Brendshme Italiane ka publikuar qarkoren shpjeguese për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mbiemrin e dyfishtë. Ai do t’u jepet automatikisht të gjithë të porsalindurve, dhe për të zgjedhur vetëm njërin do të kërkohet pëlqimi i prindërve.
Një qarkore e Ministrisë së Brendshme dikton rregullat që duhen zbatuar pas miratimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mbiemrin e dyfishtë. Të gjithë fëmijët e lindur tani e tutje duhet të kenë mbiemër të dyfishtë detyrimisht.
Në vazhdimësi po të duan të kenë vetëm një, të dy prindërit duhet të japin pëlqimin e tyre. Marrëveshja midis prindërve është thelbësore. Nëse mungon, “duhet t’i atribuohen mbiemrat e të dy prindërve, sipas radhës së vendosur prej tyre dhe nëse kjo marrëveshje e mëtejshme mungon, siç përcakton Gjykata në vendim, kërkohet ndërhyrja e gjyqtarit”.
Qarkorja është firmosur nga kreu i Departamentit të Brendshëm dhe Çështjeve të Territorit të Ministrisë së Brendshme, Claudio Sgaraglia. Dokumenti synon që prefektët të sensibilizojnë kryetarët e bashkive, në mënyrë që ata t’u japin zyrave të gjendjes civile të bashkive informacion mbi vendimin.
Ky vendim vlen për foshnjat që sapo kanë lindur dhe janë rregjistruar në zyrën e gjendjes civile, por edhe për ata që duhet të njihen më vonë ose të birësohen. Nëpunësi i gjendjes civile duhet të pranojë kërkesën e prindërve që synojnë t’i japin fëmijës mbiemrin e të dyve, në rendin e rënë dakord prej tyre, në momentin e lindjes, njohjes ose birësimit, pa cenuar marrëveshjen për t’i dhënë vetëm mbiemrin e vetëm njërit prej tyre”.
Vendimi i Këshillit e bëri të paligjshëm nenin kushtetues 262, pika 1, të Kodit Civil, i cili parashikon marrjen nga fëmijët vetëm të mbiemrit atëror. Ky vendim përcakton se mbiemri i fëmijës duhet të jetë i përbërë nga mbiemrat e të dy prindërve.