Bashkimi Evropian filloi sot negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si një hap në rrugët e vendeve të Ballkanit drejt anëtarësimit në BE që mori vrull mes luftës në Ukrainë.
Zyrtarisht, procesi filloi me prezantimin e kornizave negociuese, të cilat lejojnë selinë e bllokut të kontrollojë se sa i përgatitur është secili vend për të marrë të gjitha ligjet, rregullat dhe rregulloret e BE-së.
Masa vjen në një moment vendimtar për BE-në, e cila në qershor bëri Ukrainën dhe Moldavinë fqinje kandidate për anëtarësim edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor u mbajtën në radhë për një kohë të gjatë.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u bënë kandidate për në BE 19 vjet më parë, por bisedimet e tyre të pranimit nuk filluan kurrë.
Çdo zgjerim përtej 27 anëtarëve aktualë të BE-së ka të ngjarë të jetë ende vite pas. Pavarësisht vonesës, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ruajtur ambicien e tyre për t’u bërë pjesë e bllokut tregtar më të rëndësishëm në botë dhe kanë shtyrë për përparim.
“Sot, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapin negociatat e anëtarësimit me BE-në. Ky moment historik është suksesi juaj. Rezultati i punës suaj të palodhur”, i tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen zotit Rama dhe kryeministrit Dimitar Kovacevski të Maqedonisë së Veriut.
Mosmarrëveshjet me Greqinë dhe më pas me Bullgarinë penguan që oferta e Maqedonisë së Veriut të ecë përpara, sepse çdo lëvizje e BE-së për të shtuar anëtarë të rinj kërkon marrëveshje unanime nga ato ekzistuese.
Vetëm javën e kaluar parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi një marrëveshje që kapërceu kundërshtimet e Bullgarisë dhe hapi rrugën për fillimin e negociatave, Bullgaria kishte frenuar çdo përparim në bisedimet e pranimit, duke akuzuar qeverinë e Maqedonisë së Veriut për mosrespektim të lidhjeve të përbashkëta kulturore, gjuhësore dhe historike.
“Kjo hap dyert që gjuha jonë maqedonase të bëhet një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian, diçka që unë personalisht e shoh si arritjen më të madhe, suksesin më të madh”, tha ai.
Presidenti i SHBA Joe Biden përshëndeti nisjen e bisedimeve të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe tha se Uashingtoni do të “vazhdojë të jetë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit”.
“Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”, tha zoti Biden. “Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion.”